I ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ka qenë analisti i njohur, Arjan Curri. Ai ka komentuar protestën që po zhvillohet në Tiranë kundër projektit të Zvërnecit. Por jo vetëm kaq, pasi analisti ka folur edhe në lidhje me qëndrimin që mban kryeministri i vendit, Edi Rama.
Pjesë nga intervista:
Sharka: Pse e ke paralelizuar protestën me një reality show veror, e ke quajtur “Big Brother Bulevard”? Pse e sheh si reality show dhe a mendon se mund të bëhet realisht një reality show për Ramën?
Curri: Rama atë do, do që ta bëjë protestën një spektakël dhe ky është kurthi. Nëse protestuesit duan ta dëgjojnë një mendim të pa kërkuar ndoshta por meqë jemi këtu po e themi, Ramës i pëlqen spektakli dhe i tërheq njerëzit në spektakël. Dhe ky është një kurth i tij. Prandaj dje kërceu vallen e Flamengos. Me atë që bëri ai shpërtheu Bulevardi, BBB, shpërtheu me meme, me video, me përgjigje. Thanë që ky ka shkalluar. Por prapë dhe ajo është një shenjë kujdesi dhe dashurie. Ai i fut njerëzit në spektakël, tashmë jo më me def apo me valle, por me vallen e Flamengos. Njerëzit e hëngrën edhe këtë karrem. Sot do të shikosh që do të jenë pankartat me Ramën që kërcen, apo me Ramën që i përqesh. Influencerat e parë dolën që dje dhe thanë që nuk kanë marrë kokërr leku, disa e shanin, disa e lavdëronin. Janë gjithë këto ditë në kurth. Nëse kjo protestë nuk bëhet një lëvizje politike, atëherë do të mbetet një “Big Brother Bulevard”. Njerëzit aty kanë vetëm një nevojë të llahtarshme, që është të tërheqin vëmendjen, të shohin të tjerë dhe të duken edhe vetë.
Sharka: Në këtë “Big Brother Bulevard”, Rama i bie të jetë Vëllai i Madh…
Curri: Po, Rama është Vëllai i Madh.
Sharka: Po ti çfarë roli do kishe?
Curri: Pozicionin e opinionistit, të gërricja të gjithë konkurrentët, me frymë kritike sigurisht.
Sharka: Do doje të kishe një analist tjetër në krah, apo mjafton një?
Curri: Ja, je ti. Madje edhe mund ta bëjmë ne, tani që po thua.
Sharka: Mund t’ia propozojmë Ramës, se mund ta bëjmë vërtet spektakël veror këtë.
Curri: Mund të vijmë këtu dhe ta bëjmë herë pas here. Të shohim pamje nga bulevardi dhe i komentojmë.
Sharka: Si do të funksionojë gara e protestuesve, se do ketë eliminime besoj?
Curri: Sigurisht që do të ketë eliminime, por konkurrenti i eliminuar nuk ikën nga bulevardi, rri aty. Rri në kamera. Është me eliminim nga e kundërta, jo kë duhet të heqim, por kë duhet të vëmë. Është eliminim pozitiv. Disa personazhe që janë pretendentë për të fituar këtë edicion të “Big Brother Bulevard” sezoni veror 2026… Uroj që të mos ndalojë kjo, që të bëhet çdo vit. Tani mund të bëjmë shaka, mund të bëjmë humor, unë uroj që kjo të mbarojë sa më shpejt dhe të kthehet në një gjë politike, në një gjë serioze.



