Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka reaguar përmes një video-mesazhi pas deklaratave të ish-kryebashkiakut Erion Veliaj në Gjykatën Kushtetuese.

Shehaj theksoi se Veliaj, i cili është nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për korrupsion, në vend që të kërkojë rikthimin në detyrë, duhet të kërkojë falje para qytetarëve shqiptarë.

“Ajo që ndodhi në Gjykatën Kushtetuese është një farsë,” tha Shehaj, duke e cilësuar si të pavërtetë përplasjen e pretenduar mes Veliajt dhe kryeministrit Edi Rama.

Sipas tij, drejtësia tashmë ka vepruar jo vetëm ndaj ish-kryebashkiakut, por edhe ndaj të gjithë drejtorëve të Bashkisë së Tiranës që janë akuzuar për korrupsion.

Shehaj theksoi se kjo situatë tregon degradimin e sistemit qeverisës dhe se shqiptarët meritojnë përgjegjësi dhe transparencë, jo lojëra politike.

Deklarata e Agron Shehajt

“Më fal, më vjen keq”.
Këto duhet të kishin qenë fjalët e Erion Veliajt sot në Gjykatën Kushtetuese.
Këto duhet të kishin qenë fjalët e një ish- kryetari Bashkie i cili është akuzuar për korrupsion.
“Më fal, më vjen keq” duhet të ishin fjalët e një kryetari Bashkie të cilit i kanë arrestuar pothuaj të gjithë drejtorët.
Por kjo nuk ndodhi.
Sepse ajo që po ndodh në Gjykatën Kushtetuese është thjesht një farsë. Një farsë përplasja gjoja midis Erion Veliajt dhe Edi Ramës.
Kjo është farsa që vazhdon sot në Gjykatën Kushtetuese, ky është turpi!