Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi ka nxjerrë sot gjatë një konference për shtyp nga kryesia e Kuvendit pjesë nga përgjimet telefonike mes zv.kryeministres Belinda Balluku dhe ish drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi për tenderin e tunelit të Llogorasë.
Ai tha se zv.kryeministrja në kundërshtim me ligjin ka anuluar tenderin e parë ku njëra prej kompanive kishte ofruar 50 milionë euro më pak nga sa doli fituesi i tenderit të dytë.
“Në dosje ka komunikime me mesazhe në një telefon Blackberry të zv.kryeministres dhe drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, ku Balluku pasi kërkon llogari kush janë ofertat dhe sa janë ofertat, e urdhëron të anulojë tenderin pa pasur asnjë arsye ligjore. Madje po ti lexoni komunikimet, flet për ‘ndjesi’. I thotë Evis Berberit ‘kam një ndjesi që ky tender duhet anuluar’. Evis Berberi i përgjigjet ‘kur ti do, ndjesitë i ke të mira’. Ky është komunikim që Prokuroria e ka nxjerrë nga telefoni i të arrestuarit, Berberi”, tha Bardhi.
Duke iu referuar dosjes së Prokurorisë, ai u shpreh se organi i akuzës ka provuar edhe që kompania turke që u shpall fituese në tenderin e dytë nuk plotësonte kriteret teknike dhe financiare.
“Jo vetëm kompania është paracaktuar, por sipas analizës së bërë nga prokuroria, kompania turke nuk plotësonte një sërë kushtesh që vetë autoritetet shqiptare kishin shpallur për tenderin në fjalë. Bashkimi i operatorëve turq nuk plotësonte disa nga kriteret teknike dhe financiare që vetë dokumentet e tenderit kishin përcaktuar si kritere për fituesin e kësaj gare”-, deklaroi më tej Bardhi./ Top Channel



