Parlamenti i Suedisë ka miratuar përfshirjen e së drejtës për abort në Kushtetutë, me synimin për të forcuar mbrojtjen ligjore të grave dhe garantuar më tej të drejtën e tyre për të vendosur mbi trupin.
Në votimin e zhvilluar javën e kaluar, 292 deputetë mbështetën ndryshimet kushtetuese, 51 votuan kundër, ndërsa gjashtë të tjerë munguan. Dispozita e re parashikohet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.
Sipas formulimit të miratuar, çdo grua shtatzënë do të ketë të drejtën të ndërpresë shtatzëninë, në përputhje me kushtet dhe procedurat e përcaktuara me ligj. Rregullat konkrete do të vijojnë të përcaktohen nga legjislacioni përkatës, por përfshirja në Kushtetutë synon t’i japë kësaj të drejte një garanci më të qëndrueshme.
Nisma u ndërmor nga qeveria e kryeministrit Ulf Kristersson. Në vitin 2023 u ngrit një komision ndërpartiak, me përfaqësues nga të gjitha forcat parlamentare, për të shqyrtuar të drejtat dhe liritë themelore. Komisioni drejtohej nga gjyqtari Henrik Jermsten dhe, pas shqyrtimit, rekomandoi që e drejta për abort të mbrohej edhe në nivel kushtetues.
Sipas vlerësimit të komisionit, kjo mbrojtje do të forcojë vetëvendosjen dhe integritetin trupor të grave shtatzëna.
Megjithatë, Partia e Majtë dhe Partia e Gjelbër votuan kundër paketës së ndryshimeve në tërësi. Edhe pse të dyja mbështesin garantimin kushtetues të së drejtës për abort, ato kundërshtojnë dispozita të tjera të paketës, që lidhen me shtetësinë dhe lirinë e organizimit. Meqë ndryshimet u paraqitën për votim si një paketë e vetme, deputetët nuk patën mundësi të votonin veçmas për secilën dispozitë.
