Nga Tirana moderne, me kullat e saj të reja dhe automjetet elektrike, deri te peizazhet rurale që ruajnë ende traditat e dikurshme, Shqipëria paraqitet si një vend ku e shkuara dhe e tashmja bashkëjetojnë në mënyrë të natyrshme. Shqipëria shfaqet si një vend kontrastesh që të befason në çdo hap.

Kështu e përshkruan e përditshmja italiane “La Repubblica” udhëtimin nga Tirana në Berat, duke e cilësuar atë si një zbulim të “Tokës së Shqiponjave”, ku bashkëjetojnë fshatrat me trashëgimi osmane, rrokaqiejt më të rinj dhe surpriza të shumta.

Artikulli hapet me pamje që pasqyrojnë dy realitete të ndryshme të vendit: një burrë mbi një karrocë të vjetër të tërhequr nga një mushkë në fshatrat pranë Beratit, automjete elektrike, kryesisht kineze, në qendër të Tiranës, fëmijë që luajnë me top në rrugë dhe biçikleta elektrike që lëvizin përgjatë korsive urbane.

Po aq të forta janë edhe kontrastet arkitekturore. Ndërtesat e vjetra, disa të rrënuara ose të papërfunduara, qëndrojnë përkrah kullave moderne që dominojnë Sheshin “Skënderbej”, ndërsa ndërtesat e periudhës së fashizmit italian dhe regjimit komunist mbeten dëshmi e historisë së vendit.

Sipas gazetës italiane, Shqipëria është një vend ku e vjetra dhe e reja bashkëjetojnë natyrshëm: Ballkani bujqësor e tradicional përballet me dëshirën e fortë për t’u orientuar drejt Perëndimit dhe për t’u bërë pjesë e Evropës.

“La Repubblica” vëren se ky është edhe çmimi i transformimit të një vendi që vetëm tre dekada më parë, konsiderohej më i varfri në Evropë dhe që, pas dekadash izolimi, po përjeton një zhvillim të shpejtë.

Udhëtimi nga Tirana në Berat e mishëron më së miri këtë transformim.

Rruga, që përshkohet në më pak se dy orë me makinë, ose rreth dy orë e gjysmë me autobus, të çon përmes fshatrave shqiptare, duke kaluar nga gjurmët e së kaluarës socialiste te luginat e mbuluara me vreshta, në një itinerar ku historia dhe natyra ndërthuren në mënyrë të natyrshme.

Afërsia me Bashkimin Evropian ndihet edhe përmes flamujve blu, që valëviten mbi godinat publike.

Tirana, me afro 600 mijë banorë, përshkruhet si një metropol në zgjerim të vazhdueshëm, me lagje të reja në periferi dhe rrokaqiej që ngrihen në qendër.

Trafiku gjatë ditës është i dendur dhe shpesh kaotik, ndërsa rrugët mbushen me njerëz, që lëvizin me ritmin e një qyteti në zhvillim.

Në mbrëmje, Tirana ndryshon krejtësisht pamje: një mbrëmje e zakonshme pranvere shndërrohet në një atmosferë festive, me të rinj në rrugë, muzikë që dëgjohet në qoshe të qytetit dhe një jetë urbane, që zgjat deri vonë.

Tirana shfaqet gjithashtu përmes dëshmive të saj historike më të afërta.

Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2 janë bunkerë masivë nëntokësorë të shndërruar në muze: i pari, dikur streha bërthamore e Enver Hoxhës në periferi të qytetit; i dyti, në zemër të kryeqytetit, i kushtohet historisë së policisë sekrete.

Në qendër të Tiranës, Xhamia e Et’hem Beut dhe Piramida përfaqësojnë dy simbole të ndryshme epokash: trashëgiminë fetare dhe tranzicionin post-komunist.

Rruga drejt Beratit vazhdon përmes një Shqipërie, ku gjurmët e së kaluarës janë ende të dukshme, si në strukturën e peizazhit ashtu edhe në kujtesën historike të vendit.

Berati, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve”, ruan karakterin e tij të veçantë historik.

Kalaja e tij, ende e banuar, përmban edhe Muzeun Kombëtar Onufri, një nga koleksionet më të rëndësishme të artit ikonografik bizantin në Shqipëri.

Dy lagjet historike, Mangalemi dhe Gorica, të ndara nga lumi i Osumit, dallohen për shtëpitë e tyre karakteristike osmane, me fasada të mbushura me dritare të shumta, që krijojnë siluetën unike të qytetit.

Në qytet ndodhet gjithashtu Teqeja Halveti, një vend i lashtë i kultit sufi, i njohur për tavanet e gdhendura në dru dhe për traditën e tij mistike, dëshmi e një trashëgimie të gjatë shpirtërore dhe të bashkëjetesës fetare./ATSH