Një operacion i madh antidrogë i zhvilluar të enjten në Pikermi të Athinës ka çuar në zbardhjen e një skeme të sofistikuar të trafikut ndërkombëtar të kokainës, në të cilën janë përfshirë edhe katër shtetas shqiptarë tre të arrestuar dhe një në kërkim.
Në kuadër të aksionit të ndërmarrë nga forcat speciale greke EKAM, u zbulua një laborator i paligjshëm për përpunimin e kokainës që fshihej brenda një depoje të vjetër, ku lëkura kafshësh të papërpunuara, të zhytura më parë në kimikate, përdoreshin si mjet transporti për lëndën narkotike.
Sipas policisë greke, lëkurat ishin importuar legalisht nga Bolivia në prill të këtij viti, përmes një kompanie fiktive të krijuar nga grupi kriminal. Më pas, ato u magazinuan në Pikermi, ku edhe ndodhej laboratori i specializuar për ndarjen e kokainës nga përbërësit kimikë.
Të arrestuarit shqiptarë janë identifikuar si:
Robert Muci, 41 vjeç, nga Shushica e Vlorës
Skënder Kallashi, 50 vjeç, nga Novosela e Vlorës
Ledvis Hoxha, 27 vjeç, nga Kutallia e Dimalit
Ndërkohë, truri i dyshuar i operacionit është Luis Murataj, 45 vjeç, me nofkën “Karteri”, gjithashtu shqiptar, i cili jeton në Spanjë dhe ndodhet në kërkim ndërkombëtar. Autoritetet greke e konsiderojnë atë si përgjegjësin kryesor të transportit të lëkurave me kokainë nga Amerika Latine në Evropë.
Nga kontrollet e kryera në depo dhe një banesë pranë saj, policia ka sekuestruar rreth 100 kilogramë kokainë e përzier me kripëra, si dhe 300 kilogramë substanca kimike të përdorura për përpunimin e drogës. Lënda narkotike ishte fshehur në 1.500 lëkura lopësh, nga të cilat grupi kishte arritur të përpunonte vetëm një pjesë, me potencialin për të prodhuar deri në 700 kilogramë kokainë.
“Ky ishte një operacion kompleks me njohuri të avancuara kimike, që dëshmon për organizimin dhe profesionalizmin e lartë të rrjetit kriminal,” deklaroi drejtori i Njësisë së Anti-Drogës së Policisë greke, Fotis Ntuitsis.
Në total, janë arrestuar 11 persona: 6 grekë, 3 shqiptarë, 1 kolumbian dhe 1 bolivian. Hetimet vazhdojnë në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare për kapjen e pjesëtarëve të tjerë të grupit dhe zbardhjen e plotë të rrjetit të trafikut.
Kjo goditje konsiderohet ndër më të mëdhatë kundër trafikut të kokainës në territorin grek në vitet e fundit.
