Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon procesi gjyqësor ndaj grupit të Laert Haxhiut, ku në bankën e të pandehurve ndodhet edhe bashkëpunëtori i drejtësisë, Artan Tafani.

Gjatë seancës së kësaj të mërkure, prokurorët e SPAK paraqitën shtatë dëshmitarë për të hedhur dritë mbi episodet kriminale të përfshira në dosjen hetimore. Mes tyre dëshmoi edhe Kujtim Mermali, babai i Elton Mermalit, i cili u vra në tetor të vitit 2021.

Në dëshminë e tij, Kujtim Mermali rrëfeu momentet e fundit para zhdukjes së të birit dhe mënyrën se si familja mori lajmin tragjik. Ai tha se Eltoni kishte dalë nga banesa mbrëmjen para ngjarjes dhe nuk ishte kthyer më, ndërsa më pas familjarët u njoftuan se trupi i tij ishte gjetur pa shenja jete.

Babai i viktimës deklaroi se nuk ka dijeni për motivet e ekzekutimit dhe se nuk mund të identifikojë autorët. Sipas tij, i biri kishte dalë nga burgu i Peqinit më 6 maj 2021, por pas lirimit nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore, nuk punonte dhe kishte ndryshuar sjellje.

Ai tregoi gjithashtu se Elton Mermali ishte arrestuar fillimisht në Itali në vitin 2004, pasi kërkohej në Shqipëri në lidhje me akuzat për vrasjen e Artan Sulçes. Megjithatë, babai i tij këmbënguli se djali nuk kishte qenë i përfshirë në ngjarjet e vitit 1997 dhe se nuk besonte se ai kishte lidhje me atë krim.

Një tjetër element i dëshmisë ishte marrëdhënia e hershme e familjes me Laert Haxhiun. Kujtim Mermali tha se e njihte prej shumë vitesh dhe se e kishte strehuar në shtëpinë e tij kur ishte i ri, pasi, sipas tij, dhunohej nga i ati.

Ai zbuloi gjithashtu se pas daljes nga burgu, Elton Mermali kishte ndryshuar identitetin në Alban Semaku dhe njihej me nofkën “Kinezi”. Sipas dëshmisë, djali i kishte treguar se Artan Tafani i kishte premtuar se do ta ndihmonte për të gjetur një vend pune.

Në përfundim të dëshmisë, Kujtim Mermali u shpreh se djali i tij nuk kishte folur asnjëherë për kërcënime apo konflikte gjatë kohës që vuante dënimin dhe se nuk kishte dijeni nëse vrasja e tij lidhej me motive hakmarrjeje.