Gjykata e Posaçme ka dënuar ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, me 2 vite e 8 muaj burg. Sipas informacioneve, dënimi ka lidhje me dy episode, përfshirë ndërtimin e një pallati 11 katësh në vitin 2011, që u konsiderua i paligjshëm dhe i rrezikshëm për t’u banuar. Pallati u dëmtua gjatë tërmetit të vitit 2019, dhe SPAK vërteton se Dako ka pasur dijeni për shkeljet, duke firmosur dokumente që provonin këtë.
Në lidhje me një tjetër projekt, atë të “Promenadës Bregdetare”, SPAK ka akuzuar Dakon për keqpërdorim të fondeve publike, duke shkaktuar një dëm prej 18 milionë lekësh për shtetin. Në këtë rast, ai dyshohet se ka ndihmuar në tërheqjen e një padie dhe ka mbuluar shpërdorimin financiar.
Përveç Dakos, të akuzuarit Fiqiri Farruku, Ardian Bulku dhe Fatmir Ejupi janë dënuar me nga 2 vite burg, por gjykata ka pezulluar dënimin për ta. Vangjush Dako ishte arrestuar më 6 qershor me urdhër të SPAK, pas dyshimeve për shpërdorim detyre.