Erion Veliaj është shkarkuar zyrtarisht nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, pas vendimit të marrë sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Ky vendim vjen pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama, i cili në Asamblenë e Partisë Socialiste shpalli kandidaturën e Ogerta Manastirliut për kryetar bashkie.

Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Megi Fino, gjatë nisjes së mbledhjes theksoi se sot po përmbushet detyra për të “çliruar Tiranën nga ndalimi pa gjyq” i Erion Veliajt. “Sot kemi vetëm një pikë në rendin e ditës, projektvendimin për shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj,” deklaroi Fino.

Në seancë munguan tre anëtarë të Këshillit Bashkiak, Joleza Koka, Aldo Merkoçi dhe Gazment Paja, si dhe kryetarja në detyrë Anuela Ristani.

Tashmë, vendimi i Këshillit Bashkiak i kalon për miratim Këshillit të Ministrave, i cili do të marrë vendimin përfundimtar për shkarkimin e Veliajt.

Sipas nenit 115 të Kushtetutës, Erion Veliaj ka të drejtë të ankimojë këtë shkarkim pranë Gjykatës Kushtetuese brenda 15 ditësh nga data e vendimit. Në rast ankimimi, ekzekutimi i vendimit pezullohet deri në shqyrtimin e çështjes nga Gjykata.