
Pas vendimit për sekuestrimin e pasurive, Ylli Ndroqi është shoqëruar në policinë e Tiranës, për t’ju komunikuar vendimi. Raportohet se ai është ndaluar nga FNSH dhe RENEA së bashku me eskortën e tij.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka marrë vendimin për sekuestrimin e pasurive të Ylli Ndroqit (alias Xhemail Pasmaçiu), lindur dhe banues në Tiranë.
Në njoftimin e SPAK thuhet se nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), dhe familjarëve të tij, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri, Turqi dhe Itali.
Ka arsye të bazuara thotë SPAK, për të besuar se lidhur me pasuritë e e tij “ekziston rreziku real për humbjen, për marrjen apo për transferimin e saj tek persona të tjerë, me qëllim për të bërë të pamundur konfiskimin e këtyre pasurive”.

