Policia e Shtetit ka vënë në pranga pasditen e sotme Dashnor Totën, i cili vrau me armë zjarri 67-vjeçarin, Dodë Mamlin në Kurbin mbrëmjen e djeshme. 

Gjithashtu policia bën të ditur se në momentit e arrestimit 53-vjeçarit i është gjetur arma e zjarrit me të cilën dyshohet se ka vrarë 67-vjeçarin. Po ashtu vrasja dyshohet se ka ndodhur për motive pronësie, pasi mes tyre ka pasur konflikt për një pronë që 67-vjeçari po ndërtonte.

Njoftmi i Policisë:

Dyshohet se vrau me armë zjari, një 67-vjeçar, dje, në fshatin Vilëz, si rezultat i kontrolleve intensive nga Policia, kapet dhe vihet në pranga 53-vjeçari. Operacioni për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi u zhvillua pa ndërprerë nga shërbimet operacionale të DVP Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

Gjatë operacionit janë ushtruar kontrolle në të gjithë territorin e fshatit ku ndodhi ngjarja dhe në zonat përreth. Si rezultat, mesditën e sotme, është lokalizuar në fshatin Vilëz, është kapur dhe vënë në pranga shtetasi: D. T., 53 vjeç, banues në fshatin Zhejë, Kurbin.

Në momentin e kapjes nga Policia, këtij shtetasi i është gjetur arma e zjarrit me të cilën dyshohet se ka vrarë 67-vjeçarin D. M., për motive pronësie. Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e rrethanave dhe shkakut të vrasjes. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.