Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar pezullimin e programit të Lotarisë së Kartës së Gjelbër (Diversity Visa – DV1), pas të shtënës masive që ndodhi javën e kaluar në Universitetin Brown, ku mbetën të vrarë dy persona dhe disa të tjerë u plagosën. Vendimi u bë i ditur nga Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e cila theksoi se masa është marrë me urdhër të drejtpërdrejtë të presidentit, me synimin që “të mos rrezikohet më asnjë amerikan nga ky program katastrofik”.
I dyshuari kryesor për sulmin, 48-vjeçari portugez Claudio Neves Valente, u gjet i pajetë të enjten në një depo në Salem, New Hampshire. Autoritetet bëjnë të ditur se ai kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara në vitin 2017 përmes programit të vizave të diversitetit dhe kishte përfituar Kartën e Gjelbër. Sipas policisë, dyshohet se Valente i ka dhënë fund jetës me armë zjarri.
Zyrtarët amerikanë dyshojnë gjithashtu se Neves Valente është autor i vrasjes së profesorit të Institutit të Teknologjisë në Masaçusets (MIT), Nuno F. Gomes Loureiro, 47 vjeç, i cili u qëllua për vdekje në banesën e tij në Brookline, dy ditë përpara sulmit në Universitetin Brown. Sipas hetimeve, të dy kishin studiuar në të njëjtin universitet në Portugali në fund të viteve ’90.
Prokurori i Përgjithshëm i Rhode Island, Peter Neronha, deklaroi se prova të gjetura në një automjet pranë vendit ku u zbulua trupi i të dyshuarit lidhen drejtpërdrejt me vendngjarjen e të shtënave në Universitetin Brown. Policia arriti ta identifikojë dhe lokalizojë Neves Valente pas një operacioni kërkimi gjashtëditor në disa shtete, duke u mbështetur në pamjet e kamerave të sigurisë dhe informacionet e siguruara nga publiku.
