Atentati në Shkodër
Tregtari i plagosur ndërron jetë në spital
Tregtari nga Shkodra, Ndue Cini, i cili nëntë ditë më parë u plagos nga një person ende i paidentifikuar, ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak. Viktima u qëllua pranë banesës së tij, gjatë kohës që ka qenë duke futur automjetin në oborr. Autori i krimit i ka bërë pritë dhe në momentin që Cini ka ndalur mjetin, ai ka hyrë në veprim, duke qëlluar tri herë nga një distancë shumë e vogël. Si pasojë e kësaj, 48-vjeçari ka marrë një plumb në pjesën e kokës dhe një në qafë. Kamerat e sigurisë kanë bërë të mundur filmimin e ngjarjes, por policia nuk ka qenë në gjendje që të identifikojë vrasësin, pasi ka qenë errësirë. Vrasësi ka ecur i kërrusur pas murit, derisa ka mbërritur te preja e tij. Pa i thënë asnjë fjalë, ai e ka qëlluar tri herë, duke e lënë të plagosur rëndë. Bashkëshortja e viktimës ka dëgjuar krismat, por nuk ka qenë në gjendje që të shohë autorin e vrasjes, pasi ai ishte larguar me shpejtësi. Ndërkaq, familjarët e 48-vjeçarit thanë disa ditë më parë se nuk kishin asnjë konflikt, duke hedhur dyshime se vrasja mund të jetë porositur nga konkurrentët e viktimës, sepse ata nuk kanë pasur konflikte. Prej shumë vitesh, Cini operonte në tregun shqiptar, në shitjen e duhanit të hapur.
Rrogozhinë
Pranga, i vunë zjarrin burgut
Arrestohen në flagrancë dy autorët e dyshuar të zjarrvënies në Burgun e Rrogozhinës. Ledion Gjika dhe Jurgen Mecalliu, përkatësisht 23 dhe 20 vjeç, akuzohen se i vunë zjarrin burgut, gjatë kohës që ishin duke qëndruar në qelinë e tyre. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më 31 janar të këtij viti, kur nga shpërthimi i zjarrit në burg u asfiksuan 21 të dënuar dhe që atëherë policia shpalli në kërkim dy të paraburgosurit Ledion Gjika, i akuzuar për vjedhje dhe Jurgen Meçalliu, i cili ndodhej nën masën “arrest me burg” për armëmbajtje pa leje. Autorët e krimit i vunë zjarrin fillimisht qelisë së tyre dhe më pas flakët u përhapën në të gjithë godinën. Të burgosurit kanë hyrë në veprim për të izoluar flakët dhe më pas zjarrfikësja ka shuar zjarrin.
Tiranë
Vajza 12-vjeçare tenton vetëvrasjen
Një 12-vjeçare ka alarmuar familjarët e saj, duke kërcënuar se do të vriste veten, por me ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse është mundësuar neutralizimi i saj. Ngjarja ka ndodhur në kryeqytet dhe sipas të dhënave të policisë, një e mitur është mbyllur në dhomën e saj për tri orë me radhë, duke thënë se do të hidhej nga pallati. Burime të Policisë së Tiranës thanë se ngjarja ka ndodhur në rrugën “3 Dëshmorët” në Yzberisht, ndërkohë që kanë qenë prindërit e vajzës 12-vjeçare, ata që lajmëruan zjarrfikësit se e mitura nuk ua hapte derën. Shërbimet zjarrfikëse kanë shqyer derën dhe më pas kanë shpëtuar jetën e vajzës. Vogëlushja ka pasur nevojë për frymëmarrje artificiale dhe nevojë për ndihmën e mjekëve. Sipas të dhënave paraprake, ajo vuan nga një sëmundje, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.