Berat


Mbetet në burg gjenerali Gjoka, dyshohet për shpërdorim detyre


Syrja GjokaMbetet në burg gjenerali Syrja Gjoka, i vënë në pranga për shpërdorim detyre dhe dëm ekonomik ndaj shtetit me vlerë dhjetëra miliona lekë. Komandanti i brigadës logjistike u njoh me masën e sigurisë “arrest me burg” të caktuar më herët nga Gjykata e Beratit. Gjoka, i cili drejtonte brigadën logjistike pranë Forcave të Armatosura prej gushtit të vitit 2012, akuzohet se kur ka shërbyer në repartin ushtarak 3002 të Kuçovës si komandant i bazës ajrore ka abuzuar me detyrën me veprime të kundërligjshme, pa miratimin e eprorëve. Ushtaraku Syrja Gjoka u arrestua nga Policia Ushtarake më 16 maj në banesën e tij në kryeqytet. Syrja Gjoka ka një karrierë 37-vjeçare në Forcat e Armatosura, e cila fillon prej vitit 1977 e deri në drejtimin e një prej tre komandave që disponojnë Forcat e Armatosura Shqiptare si Komanda e Logjistikës, e cila konsiderohet si një komandë kyçe për ushtrinë


 


INUK


Bllokohet pallati 9-katësh në bregdet


Inspektorati Ndërtimor dhe Urbanistik Kombëtar ka bllokuar një pallat 9-katësh në bregdet. Objekti 9-katësh që ngrihet në kufi me brezin e rërës në zonën e Shkëmbit të Kavajës është jashtë kushteve të lejuara urbanistike dhe nuk zotëron dokumentacion të rregullt. Inspektorët e objektit kanë bërë bllokimin e tij, ndërsa deklarohet se shumë shpejt godina do të prishet. Pallati është në pronësi të ndërtuesit Enver Shala, të cilit nëntorin e kaluar iu prish nga INUK kompleksi i ngritur në hyrje të qytetit të Durrësit, poshtë mbikalimit në kuadër të lirimit të hapësirave publike të zaptuara. Ndërkaq 5 vjet më parë, një tjetër godinë shumëkatëshe e Shalës u shndërrua në mollë sherri mes kryetarit të bashkisë Vangjush Dako dhe ministrit të atëhershëm të Punëve Publike. Katet pa leje të pallatit 21-katësh pranë hyrjes së portit u vendos të prisheshin, por asnjë firmë nuk e mori përsipër realizimin teknik të kësaj ndërhyrjeje dhe pse Këshilli Bashkiak i Durrësit pati akorduar për këtë qëllim një fond prej 13 milionë lekësh.


 


Fier


Vrasja e biznesmenit, ndalohet një i dyshuar


Vrasja për gjakmarrje e biznesmenit fierak Agron Ymeraj ka çuar në pranga një të ri 21-vjeçar, i cili është arrestuar në Aeroportin e Rinasit, por ka shumë pak fakte që e lidhin atë me këtë krim. Burimet policore nga Fieri thanë se kanë arrestuar Ildi Hoxhën, pasi dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e 51-vjeçarit, për të cilin fillimisht u mendua se është ekzekutuar nga Eni Veshi, djali i inxhinierit Koli Veshi, që sipas prokurorisë është vrarë nga dy djemtë e Ymerajt. Lidhja që i bëhet nga policia 21-vjeçarit të arrestuar dje me vrasjen e Agron Ymerajt është fakti se ai është vëllai i shokut të Eni Veshit. Megjithatë, policia tha se ende vazhdon hetimi për zbardhjen e plotë të këtij krimi.


 


Shkodër


Plagos motrën kur po pastronte çiften


Një 18-vjeçare nga fshati Gimaj i Malësisë së Madhe është plagosur aksidentalisht me armë zjarri nga vëllai i saj. E plagosura, Groshe Nengagu, ka mbetur e plagosur lehtë nga vëllai i saj, ndërsa është çuar me urgjencë në Spitalin e Shkodrës, ku është jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se vëllai i 18-vjeçares po pastronte armën e gjahut, çifte, kur pa dashje e ka shkrepur atë dhe saçmet kanë prekur motrën e tij. Ajo është dërguar me urgjencë në spitalin e Shkodrës, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje.


 


Vrasja për femër, burg për 17-vjeçarin


Gjykata e qytetit të Shkodrës ka lënë në burg 17-vjeçarin Alban Lulashi, i akuzuar për vrasjen e të riut Altin Koçeku, pavarësisht se nuk e ka pranuar krimin. “Vrasja është kryer nga shoku im, Palush Demaj. Unë kam pranuar autorësinë e krimit, sepse jam i mitur. Pas vrasjes bashkë me Palush Demaj fshehëm armën e krimit”, është shprehur Lulashi në sallën e gjyqit. 17-vjeçari akuzohet se ka ekzekutuar pesë ditë më parë me automatik 24-vjeçarin Altin Koçeku. Ngjarja ndodhi pranë një lokali në fshatin Hot i Ri, në Komunën Rrethina, pas një sherri për një femër. Koçeku ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës për shkak të plagëve të marra dhe hemorragjisë, ndërsa pak orë pas ngjarjes, blutë bënë identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit Lulashi, falë edhe dëshmive të shumta. Mësohet se adoleshenti ka deklaruar në polici pas marrjes në pyetje, se ishte konfliktuar me viktimën, për shkak të ngacmimit të një femre.