Policia


Kundrejt 2000 eurove premtonte dokumente për të emigruar jashtë vendit


Ish i përndjekuri Asllan Patrioti arrestohet për mashtrim


asllan patrioti 1Koordinatori i grevës së ish të përndjekurve politikë është arrestuar nga Policia e Durrësit për mashtrim të qytetarëve të ndryshëm në përpjekje për të emigruar në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Britani, si dhe për të përfituar strehim. Kundrejt shumave 2000–8000 euro, Asllan Patrioti, 61 vjeç, nga Durrësi, premtonte dokumentacion për pajisjen e qytetarëve me dokumente të ndryshme që mundësonin emigrim të shpejtë jashtë vendit, si dhe përfshirjen në listat e personave që do të përfitojnë strehim nga Enti i Banesave. Pas një hetimi dymujor të bazuar në disa denoncime, në kuadër të operacionit “Mashtruesit”, Policia e Durrësit arrestoi në flagrancë 61-vjeçarin, ndërsa shpalli në kërkim shtetasin Arben Shezi, 44 vjeç, nga Shijaku, me banim në Tiranë. Policia ka mundur të zbulojë mekanizmin e këtij mashtrimi me qëllim fitimin. Patrioti merrte përsipër pajisjen e qytetarëve të interesuar me dokumente të ndryshme për të aplikuar për qëndrim në Kanada, SHBA, Britani të Madhe dhe Belgjikë. Bëhet fjalë për pajisjen me dokumente me mbishkrimet “CBI”, “ANTITERROR”, “ANTIMAFIA” etj., dhe pas arritjes së tyre në destinacion u premtonte pajisjen me vërtetime anëtarësie pranë Shoqatës për Integrimin e të Përndjekurve Durrës, përkundrejt shumave që variojnë nga 3000 deri në 8000 euro. Ndërkohë, dyshohet se Patrioti dhe Shezi kanë mashtruar edhe 11 shtetas, duke iu përvetësuar shumat që varijojnë nga 2000 deri në 5000 euro, me premtimin se emrat e tyre do të përfshihen në listën e personave që do të pajisen me apartamente banimi nga Enti i Banesave dhe Bashkia e Durrësit. Policia ka ngritur ndaj këtyre shtetasve akuzën për veprën penale të “mashtrimit, e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 143 paragrafi 2 dhe 25 i Kodit Penal. V. Qyrfyçi


 


Durrës


I sëmuri tenton të vetëdigjet me benzinë


Një person ka tentuar të vetëdigjet në qendër të qytetit të Durrësit. Pasi ka spërkatur veten me një shishe benzinë, shtetasi Hajri Robi i ka vënë zjarrin vetes, por menjëherë kanë ndërhyrë kalimtarët e rastit që e kanë ndihmuar duke shuar flakën dhe prerë veshjet e djegura. Ngjarja është regjistruar rreth orës katër të pasdites së të enjtes. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, si dhe autoambulanca që e dërgoi të dëmtuarin në spital. Paraprakisht, burime policore bënë të ditur se 64-vjeçari, banor i lagjes nr. 2, që tentoi vetëdjegien në qendër të qytetit bregdetar, njihet si person me probleme të shëndetit mendor. V.Q.


 


Kukës


U kap për trafik droge me Kosovën, e liron gjykata


Lirohet personi të cilit iu gjet drogë në banesë dhe në gomën e automjetit, ku fshihej marijuana, e destinuar për t’u trafikuar në Kosovë. Gjykatësja e Gjykatës së Kukësit, Drita Vehliu, në seancën e masës së arrestit ka liruar Idajet Durakun, duke e lënë në masën e “detyrimit të paraqitjes”. Duraku u arrestua nga policia lokale në datën 25 maj, ndërsa kanë mbetur në burg pa afat Abedin Taçe bashkë me tre kosovarët Haki Dajaku, Shaban Hoti dhe Agim Dajaku, të cilët u gjykuan për masën e arrestit nga gjykatës të tjerë. Më 25 maj, Policia e Kukësit raportoi për zbulimin e trafikimit të drogës nga Shqipëria për në Kosovë me anë të maskimit të saj në gomën rezervë. Policia sekuestroi 5.5 kilogramë marijuanë që po përgatitej për t’u trafikuar.


 


Tiranë


Nëna e foshnjës akuzon një mjek në një klinikë private për pakujdesi


Vdes foshnja, procedohet mjeku gjinekolog 


Një foshnje ka gjetur vdekjen brenda pak minutave, pasi kishte ardhur në jetë, nëna denoncon mjekun për pakujdesi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur me 26 maj 2014, në një spital privat në zonën e Kombinatit Tiranë. Burime nga policia bëjnë me dije se kallëzimi është bërë nga nëna me inicialet M.C banuese në Tiranë, një ditë pas vdekjes së fëmijës. Ajo pretendon se mjeku nuk është treguar i kujdesshëm për shëndetin e të porsalindurit. Nëna kishte zgjedhur spitalin privat, për të sjellë në jetë fëmijën e saj, për kushtet që ofronte ai. Gjithashtu, mjekët i kanë dhënë garanci të plotë për shëndetin e fëmijës, kundrejt një shumë të konsiderueshme parash. M.C., është bindur nga fjalët e stafit mjekësor, duke pranuar që lindjen ta kryejë pranë spitalit privat. Por nuk ka ndodhur kështu. Sapo foshnja ka ardhur në jetë, ka gjetur vdekjen për arsye që ende nuk bëhen të qarta. Në gjendje shoku, ajo është paraqitur me 27 maj, në Komisariatin Nr.6, për të bërë denoncim ndaj mjekut obstetër-gjinekolog të identifikuar me inicialet E.P., 36 vjeç. Në dëshminë e dhënë përpara grupit hetimor, ajo ka thënë se mjeku nuk është treguar i vëmendshëm ndaj simptomave që ka shfaqur fëmija. “Unë kisha komplikacione me shtatzëninë dhe shkova te spitali privat për të marrë ndihmën e nevojshme, mjeku më tha se pavarësisht simptomave, lindja do të shkojë shumë miri dhe asnjërit prej nesh nuk ka për t’i ndodhur gjë. Unë u binda nga fjalët e tij dhe pranova që të kurohem pranë atij spitali, por nuk ndodhi kështu”, është shprehur nëna përpara policisë. Pas denoncimit të marrë, grupi hetimor ka kërkuar dëshminë e stafit mjekësor. Pjesë e këtij procesi ishte edhe mjeku i akuzuar nga nëna e viktimës. Paraprakisht dyshohet se ai është personi përgjegjës për vdekjen e fëmijës. Si pasojë e kësaj policia ka nisur procedimin penal, në gjendje të lirë për E.P., vjeç 36, banues në Tiranë, me profesion obstetër-gjinekolog në një spital privat. Ndaj tij rëndon akuza e “mjekimit të pakujdesshëm”. Muajin e fundit në spitalet private kanë gjetur vdekjen edhe 2 persona të tjerë, ku familjarët kanë akuzuar mjekët për mjekim të pakujdesshëm.


 


Mat


Aksidenti në minierë, humb jetën 31-vjeçari


Një minator ka ndërruar jetë mesditën e djeshme në minierën e Cërrmijes në Mat të Burrelit, ndërsa ndodhej brenda saj duke punuar. Mësohet se viktima është Shkëlqim Pisli, 31 vjeç, i cili u aksidentua në ambientet e minierës, ku po punonte, ndërkohë që nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes. Pisli është mundur të shpëtohet për një moment nga ambientet e minierës ku u aksidentua dhe u nis me helikopter drejt spitalit të Traumës. Gjatë transportit të tij me helikopter, 31-vjeçari ka humbur jetën si rezultat i plagëve të marra. Ndërkohë, policia po heton shkaqet e vdekjes së tij, si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave, prej të cilave humbi jetën minatori.


 


Tiranë


Operacion antidrogë, dy në pranga


Transportonin rreth 100 kg kanabis sativa, duke i fshehur në mobilie, arrestohen dy persona. Operacioni është bërë nga skuadra e Antidrogës e Policisë së Tiranës, e cila njëkohësisht ka zbuluar edhe skemën e trafikimit të drogës. Sipas policisë në pranga janë vënë Hysen Hysa, 68 vjeç nga Mati, banues në Kombinat dhe Nard Deliu, 28 vjeç, lindur dhe banues në Nikël të Krujës. Dy të arrestuarit e kishin futur drogën brenda një dollapi që transportohej si mobile për t’u shitur me një automjet tip “Volkswagen”.


 


Kërcënimi


Gjobë me SMS tregtarit, i kërkon 45 mijë euro


Një tregtar në Tiranë është kanosur me jetë nga persona ende të paidentifikuar. Shkak për këtë është bërë një gjobëvënie nga ana e autorëve, të cilët kërkojnë një shumë prej 45 mijë eurosh. Burime nga policia bëjnë me dije se shtetasi me inicialet P.T., me 28 maj 2014, ka bërë një denoncim. Ai pretendon se disa persona e kanë kërcënuar me jetë së bashku me familjen, nëse nuk u jepte shumën e konsiderueshme të parave. Prej frikës, K.P, ka kërkuar nga policia marrjen e masave. Pas marrjes së denoncimit, policia ka nisur hetimet për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”. Uniformat blu po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të krimit.