Kreu i Prokurorisë së Vlorës, transferohet në akuzën qendrore


Reforma


Prokuroria pëson disa ndryshime në organikë, ku disa oficerë të Policisë Gjyqësore i janë bërë prokurorisë, ndërsa ka pasur edhe disa lëvizje. Propozimet e kryeprokurorit Adriatik Llalla janë pranuar nga Presidenti, i cili ka dekretuar transferime dhe emërime prokurorësh. Sipas dekreteve, Kosta Beluri, i komanduar si kryeprokuror i Vlorës, është transferuar në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa më parë ka qenë zëvendësdrejtor në Tiranë dhe te Krimet e Rënda dhe për një kohë të shkurtër ka punuar edhe në Policinë e Shtetit. Gjatë punës njëvjeçare në Vlorë, Beluri firmosi marrjen si të pandehur të kreut të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, ndërsa ka hetuar edhe kompleksin “Jon” si dhe shumë dosje të tjera “të nxehta”.


Dekreti tjetër është transferimi i Arben Qoses nga Prokuroria e Tiranës në atë të Apelit, ndërsa ish-drejtuesi i akuzës së Elbasanit, Elvin Gokaj, është emëruar prokuror në Apelin e Shkodrës. Kleanth Zeka nga prokuror në Vlorë është emëruar në të njëjtin qytet, por në Apel.


Ndërkohë, ka pasur edhe “ngritje në detyrë”, ku Artur Ismailukaj, nga OPGj kalon prokuror në Tropojë. Arben Allajbeu është emëruar prokuror në Berat. Erind Rehovica, vëllai i deputetit të Beratit Gledion Rehovica, nga OPGJ te Krimet e Rënda bëhet prokuror në Vlorë. Po në Vlorë emërohet Kledian Llaho, i cili së fundmi ka qenë OPGJ në Durrës dhe më parë OPGJ në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.


 


Denoncimi


Denoncon mikun për mashtrim, i mori 100 mijë euro për një shtëpi 


Denoncon mikun e tij se i kishte premtuar që do t’i blinte një shtëpi luksoze në Tiranë kundrejt 100 mijë eurove, nis hetimi për mashtrim ndaj 38-vjeçarit nga Fieri D.X. Një banor i qytetit të Vlorës ka pretenduar para oficerëve të krimit ekonomik të Policisë së Fierit se i ka dhënë jo pak, por 100 mijë euro një personi nga qyteti i Fierit me qëllim që të blinte një ndërtesë banimi në Tiranë, por sipas tij, gjithçka ka qenë një mashtrim. Ai ka pretenduar se i kishte dhënë paratë pasi kishte besuar fjalët e mikut të tij, të cilin e njihte prej kohësh. Por, ndërsa ka pritur që shtëpia të kalonte në pronësi të tij, denoncuesi ka kuptuar se personi të cilit i kishte dhënë paratë, gjente gjithmonë një justifikim për të mos e zgjidhur problemin e krijuar. Denoncuesi ka shpjeguar se tashmë kishte humbur edhe paratë, edhe mundësinë për të pasur shtëpinë në Tiranë. Ai ka pretenduar se 38-vjeçari nga Fieri i shmangej dhe nuk e takonte më, duke e detyruar që pas një viti e gjysmë të kryejë kallëzim ndaj tij. Burime nga policia njoftuan dje se ndaj 38-vjeçarit D.X. ka nisur procedimi për veprën penale të “mashtrimit” dhe se po verifikohen pretendimet e kallëzuesit për të konkluduar në vërtetësinë e tyre. E.H.


 


Lushnjë 


“Avioni i Divjakës” vazhdon të mirëpresë turistë


“Avioni i Divjakës” vazhdon të mbetet në rërën buzë detit, nën mbrojtjen e punonjësve të policisë, të cilët qëndrojnë aty me turne gjatë 24-orëve, duke shuar kureshtjen e pushuesve që e shikojnë për herë të parë. Ndonëse pushuesit këtë vit kanë qenë më të paktë në numër, avioni në plazhin e Divjakës duket se do të vijojë të mbetet një arsye më shumë për t’u ndalur. Nga pronarët dhe punonjësit e lokaleve mësohet se sezoni turistik ende nuk ka nisur mirë, pasi edhe temperaturat kanë qenë të paqëndrueshme. Ata shtojnë se avioni ka qenë atraktiv për shumë njerëz të cilët kanë dashur të memorizojnë në foto aty një kujtim pranë mjetit fluturues që u emërtua si “Avioni i Divjakës”. Madje sipas tyre, nuk kanë të mbaruar edhe çuditë, pasi persona të ndryshëm kanë dashur të fiksojnë kujtime edhe nga dita më e bukur e jetës së tyre pranë këtij avioni. Banorët e zonës tregojnë se avioni ka qenë i frekuentuar edhe nga çiftet e sapomartuara që kanë bërë videoklipet e rastit aty. Ata shtojnë se edhe pse avioni do të përdorej për trafikim të drogës, mjeti fluturues nuk ka sjellë ndonjë ndikim të keq për zonën, madje përkundrazi, sipas tyre ai e bëri më të njohur Divjakën. Ndërkohë nuk dihet ende se cili do të jetë destinacioni përfundimtar i avionit. E.H.