Pukë


Dhunohen dhe grabiten dy të moshuar në banesë


maskaNjë çift bashkëshortësh janë dhunuar dhe grabitur në banesën e tyre nga dy persona ende të panjohur. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Kishaxhi, të Pukës. Policia në vendngjarje bën të ditur se çifti Zef dhe Prena Vasia, rreth 80 vjeç, kanë përjetuar një tronditje të thellë mbrëmjen e së hënës, kur persona të panjohur u kanë shkaktuar fraktura në trup, me qëllim grabitjen e parave. “Në mesnatë dëgjuam të trokitura në derë. Gruaja shkoi dhe e hapi derën, kur persona të maskuar e lidhën, i futën një shami në gojë që të mos bërtiste dhe i thanë ‘nënë na trego ku i fshehur paratë’”, tregon bashkëshorti. Më tej, Zef Vasia shpjegon se pasi ka dëgjuar zhurmat në korridor ka dalë menjëherë në ndihmë të gruas, por është rrahur barbarisht nga dy personat e maskuar. Sipas policisë, për shkak të plagëve të marra, gruaja është transportuar në spital. Policia, pas denoncimit të ngjarjes ka nisur hetimet, ndërkohë që nuk ka ende të dhëna rreth autorësisë së grabitësve.


 


Laç


Mblidhte skrap për bukën e gojës, e zë muri i uzinës


Teksa mblidhte hekurishte për të siguruar bukën e gojës, një i ri ka humbur jetën, pasi u zu poshtë nga rrënojat e një pjese të uzinës së superfosfatit në Laç, e cila u shemb si pasojë e amortizimit. Ngjarja ndodhi rreth mesditës, ku reshjet e shiut provokuan rënien e një sasie të madhe betoni në njërën prej godinave të kësaj uzine, në të cilën ndodhej 18-vjeçari Gjin Lleshi, banues në lagjen nr. 4 të qytetit të Laçit. I riu ka qenë duke mbledhur skrap dhe dyshohet se duke tentuar të marrë një sasi hekuri, ka lëvizur pjesët mbajtëse të tavanit, duke provokuar edhe shembjen e tij. Disa persona të tjerë që gjendeshin aty në momentin që është shembur ndërtesa kanë lajmëruar menjëherë policinë dhe ekipet e shpëtimit, por edhe mbërritja e shpejtë e tyre nuk ka qenë efikase, pasi i riu kishte humbur jetën nga goditja që ka marrë në kokë dhe trup nga materialet e betonit. Vetëm pas një ore nga shembja e godinës, policia dhe ekipet e shpëtimit kanë mundur të nxjerrin nga rrënojat trupin e pajetë të 18-vjeçarit Gjin Lleshi.


 


Vlorë


E moshuara hidhet nga pallati me serum në dorë


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në qytetin e Vlorës, ku një grua e moshuar është vetëflijuar, duke u hedhur nga kati i tetë i pallatit ku jetonte. Policia e Vlorës bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur në pallatin ku ndodhet një prej qendrave tregtare më të mëdha të qytetit, në zonën e Skelës. Sipas policisë, 73-vjeçarja Menekshe Zotaj ndodhej e vetme në banesë, kur ka kryer aktin e vetëflijimit. Ajo u gjet e pajetë në trotuarin poshtë pallatit, ndërsa në dorë kishte një serum. Mësohet se gruaja vuante prej kohësh nga probleme shëndetësore, kryesisht nga diabeti. Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.