Pas hetimeve


Bajraktari rimerr postin e shefit të Interpol Tiranës


Artan-Bajraktari-1Ish-shefi i Interpolit e ka rimarrë postin e tij, pas kalvarit me policinë, prokurorinë dhe gjykatat. Nga burime të policisë mësohet se Artan Bajraktari është rikthyer në detyrën e shefit të Interpol Tirana. Bajraktari u pezullua nga detyra, pasi akuzohej se kishte fshehur kërkesën e autoriteteve belge për arrestimin e deputetit Mark Frroku. Mësohet gjithashtu se Bajraktari ka më shumë se 2 javë që ka rinisur punën në krye të Interpol Tirana. Vendimi për rikthimin e tij në detyrën e mëparshme është marrë nga Drejtoria e Standardeve dhe Disiplinës në Policinë e Shtetit. Rikthimi vjen pasi prokuroria ka pushuar hetimet ndaj tij. Bajraktari u pezullua me firmën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi, me të cilin më pas pati edhe një ballafaqim në prokurori, për shkak të deklaratave të ndryshme. Didi e akuzoi Bajraktarin se kishte fshehur urdhër-arrestin e dërguar nga shteti belg për deputetin Mark Frroku, por shefi i Interpolit mohoi akuzën dhe tha se e kishte vënë në dijeni eprorin.


 


Shkodër 


Plumba te “dollari” pas sherrit në lokal, plagoset 37-vjeçari


Një person ka mbetur i plagosur rëndë në mes të qytetit të Shkodrës, në vendin e quajtur “Dollari”, afër selisë së Partisë Demokratike të Shkodrës. Nga policia bëhet me dije se i plagosuri është identifikuar si Lulzim Vuçaj, 37 vjeç. Nga vendngjarja raportohet se i plagosuri është transportuar drejt spitalit me një makinë të rastit, ndërsa gjendja e tij paraqitet kritike. Në vendngjarje grupi hetimor ka sekuestruar 3 gëzhoja plumbash. Sipas burimeve policore, ngjarja ka ndodhur pas një sherri që kishte nisur në ambientet e një lokali të zonës, duke vijuar më pas në përplasje fizike edhe jashtë tij. Autori, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimi e ka qëlluar 37-vjeçarin Vucaj disa herë me pistoletë. Policia i ka shpallur autorët në kërkim dhe po punon për kapjen e tyre. Ndërkaq, policia njoftoi se i plagosuri ndodhet në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku momentalisht është jashtë rrezikut për jetën.


 


Denoncimi


“Burri në Greqi, kunati tentoi të më përdhunojë”


Një histori rozë zhvillohej prej vitesh në një familje që banon në Valias, ku një 34-vjeçare ngacmohej seksualisht nga kunati i saj dhe madje ai tentoi ta përdhunonte, në kohën që i vëllai ndodhej në Greqi. Ngjarja ka ndodhur pardje në zonën e Valiasit, kur 44-vjeçari me inicialet B.K, ka gjetur një moment kur në banesë nuk ndodhej askush dhe tentoi ta përdhunonte kunatën. Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Shtetit në njoftimin e përditshëm për shtypin. “Më datë 12.09.2015, rreth orës 18.00, u arrestua në flagrancë shtetasi B.K, 44 vjeç, banues në Valias, pasi dyshohet se në Valias, ka tentuar të përdhunojë një shtetase 34 vjeçe”, thuhet në njoftim. Ndërkaq, burimet nga policia konfirmuan se 34-vjeçarja u paraqit pardje në ambientet e Komisariatit Nr. 5 të Kamzës dhe u ka rrëfyer oficerëve të gjithë kalvarin e saj disavjeçar. Ajo u shpreh se kunati e ngacmonte prej shumë kohësh, ndërsa vetëm para 2 ditësh ai ishte kthyer nga Greqia, ku banonte afër me vëllain e tij.