Durrës
Zihen për radhën, plumb në këmbë shoferit të furgonit
Konkurrenca në transportin e udhëtarëve është kthyer sërish në një motiv për ngjarje të rënda në qytetin e Durrësit. Një 33- vjeçar, drejtues furgoni, ka mbetur i plagosur, pasi është qëlluar me armë zjarri pas një konflikti të momentit. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të ish-fabrikës së miellit. I dëmtuar ka mbetur Sh. Pjetri, 33 vjeç, i cili është dërguar në spitalin rajonal të Durrësit, ku është nën kujdes mjekësor, jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që autori është larguar nga vendi i ngjarjes. Burime policore bëjnë të ditur se plumbi e ka kapur Pjetrin në këmbë. Ngjarja ndodhi në një nga zonat më me lëvizje në qytet, duke shkaktuar panik te qytetarët. Paraprakisht dyshohet se në qendër të konfliktit kanë qenë kontradiktat e zakonshme për radhën e nisjes dhe marrje pasagjerësh. Policia ka shoqëruar menjëherë pas ngjarjes një shtetas nga Shijaku, por ende nuk bëhet me dije nëse ai është autori i dyshuar apo jo. Konkurrenca në fushën e transportit rrugor të udhëtarëve prej vitesh vazhdon të shkaktojë konflikte të ashpra deri në kryerje krimesh kundër personit midis subjekteve private që operojnë në këtë sektor.
V. Qyrfyçi
Operacioni
Bashkë me Skënder Konin, policia e qytetit bregdetar arrestoi edhe 51-vjeçaren Elsa Zoto
Pranga kreut të INUK në Durrës, dyshime për falsifikime pronash
I arrestuari – Skënder Koni u emërua drejtor i Inspektoratit të Ndërtimit pak para konstituimit të Këshillit Bashkiak të Durrësit në verën e vitit 2011
Drejtuesi i Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar, dega Durrës dhe njëkohësisht këshilltari bashkiak i qytetit, Skënder Koni është vënë në pranga për mitëmarrje, përfitime të paligjshme përmes veprimeve abuzive për legalizim pronash. Kreu i demokristianëve lokalë është arrestuar nga agjentët e antikrimit financiar në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Durrësit, në kuadër të një operacioni policor “Prona e premtuar”. Hetimet e kryera nga këto struktura kanë siguruar dyshime të arsyeshme se Koni, duke shfrytëzuar detyrën, në bashkëpunim me dy persona të tjerë kanë kërkuar dhe kanë marrë përfitime të paligjshme për të regjistruar dhe legalizuar prona të disa banorëve të vendosur në një truall me sipërfaqe 3 mijë e 253 metër katrorë. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Durrësit bënë të ditur se një ditë më parë, janë ekzekutuar dy nga vendimet e Gjykatës së Durrësit për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për 65-vjeçarin Skënder Koni, me arsim të mesëm, si dhe shtetasen Elsa Zoto, 51 vjeçe, të dy banorë të Durrësit. Kjo gjykatë ka vendosur të njëjtën masë sigurimi edhe për një shtetas të tretë të shpallur në kërkim, identiteti i të cilit, për shkak të hetimit, nuk bëhet publik. Tre personat akuzohen për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që kryejnë funksione publike, në bashkëpunim”. Policia shpjegoi se ky operacion erdhi duke u bazuar nga një kallëzim në ngarkim të personave të arrestuar, ndërkohë që janë kryer përgjime dhe vëzhgime, para se atyre t’u vihen prangat. Megjithatë, policia nuk ka verifikuar ende shumën e parave të përfituara nga të arrestuarit. Skënder Koni u emërua drejtor i Inspektoratit të Ndërtimit pak para konstituimit të Këshillit Bashkiak të Durrësit në verën e vitit 2011. Ky pozicion e rreshtoi Konin në radhën e këshilltarëve të djathtë, ndonëse kishte fituar të drejtën e përfaqësimit të qytetarëve nën siglën e “Aleancës për të Ardhmen”. Policia tha se do ta hetojë Konin edhe për raste të tjera, ndërkohë që gjatë kontrollit të ushtruar në zyrën e tij janë sekuestruar edhe disa dokumente, që do të verifikohen nga grupi hetimor. V. Qyrfyçi
Aksidenti
Austriaku plagoset te “pallatet e kinezëve”
Një turist austriak është aksidentuar, duke u plagosur rëndë, teksa udhëtonte me motorin e tij në afërsi të “pallateve të kinezëve” në Elbasan. Burime të policisë rrugore bëjnë të ditur se një motor me targa të huaja KBHD2, me drejtues shtetasin austriak, Christian Dagn, 59 vjeç, është përplasur me një mjet tip “Reno”, me targë AA 652 BK, me drejtues shtetasin Naim Aliçka. Por nuk ka përfunduar këtu aksidenti, pasi mjeti “Reno” është përplasur me një mjet tjetër tip “Mercedes Benz”, me targë EL 0108 A, me drejtues shtetasin Lutfi Duraku, banues në Elbasan. Mësohet se tre drejtuesit e mjeteve janë transportuar në spitalin kirurgjik për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Mësohet se të dëmtuarit janë jashtë rrezikut për jetën. Ende nuk janë përcaktuar shkaqet e aksidentit, por mësohet se drejtuesi austriak i motorit ka shkelur rregullat e qarkullimit. Gjithsesi pritet që ekspertët të përcaktojnë saktë shkaqet e aksidentit. Kryqëzimi ku ndodhi aksidenti konsiderohet i rrezikshëm për shkak të daljes së menjëhershme në unazë. B. Nergjoni
Vlorë
Para në këmbim të provimit, prangoset
Një 37-vjeçare është vënë në pranga nga Policia e Vlorës, pasi ka marrë para prej dy studentëve në këmbim të kalimit në provim. Ngjarja ka ndodhur në Vlorë, ku Monika Shehu dyshohet se u ka kërkuar dhe marrë dy studentëve nga Fieri në universitetin “Ismail Qemali” shumën prej 200 mijë lekësh, me premtimin se do t’i kalonte në provime. Sipas policisë, ajo dyshohet se nuk kishte kryer misionin e saj, kështu që studentët e kanë denoncuar pranë uniformave blu. Menjëherë, sektori i antikrimit ekonomik ka nisur hetimet për këtë rast dhe pas mbledhjes së disa provave, u vendos arrestimi i saj.
Elbasan
Dy veta dëmtojnë shtëpinë e vëllait
Policia ka vënë në pranga dy vëllezër, pasi kanë dëmtuar shtëpinë e vëllait të tyre më të madh. Policia e Elbasanit bën të ditur se Artan dhe Vullnet Bajrami, përkatësisht 31 dhe 35 vjeç nga fshati Tregan i Elbasanit, kanë dëmtuar me mjete të forta disa materiale në shtëpi, për arsye pronësie. “Arrestimi i tyre u krye pasi, në fshatin Tregan, gjatë një konflikti për motive pronësie, këta shtetas kanë dëmtuar me mjete të forta derën kryesore, dritaren si dhe një pjesë të murit rrethues të banesës së vëllait të tyre, shtetasit B. Bajrami, 43 vjeç”, bën të ditur policia e Elbasanit.