Arrestimi
Ishte në kërkim, pranga në Morin
Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar dje paradite në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinit, në Kukës. Gjatë kryerjes së procedurave në dalje, nga Shqipëria për në Kosovë, është bërë ndalimi i shtetasit Fuad Hajdari, 26 vjeç, lindur e banues në Gjakovë të Kosovës. Nga verifikimet e bëra ka rezultuar se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga policia shqiptare si autor i dyshuar për kryerjen e veprës veprën penale të “vjedhjes me mashtrim”. Tashmë ai ndodhet në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Kukësit, dhe pritet të dalë para gjykatës.
Durrës
Kapet në port me 50 kg drogë
Një tjetër sasi e bimës narkotike është sekuestruar në Portin Detar të Durrësit, ndërsa 37-vjeçari që e kishte në posedim u arrestua në flagrancë për trafik narkotikësh. Kontrolli në automjetin me targa AA727FS nga autoritetet policore të kufirit dhe ato të antidrogës në portin më të madh të vendit ka çuar në sekuestrimin e një sasie prej 49,9 kilogramësh lëndë narkotike të llojit kanabis, e cila ishte fshehur brenda mjetit që po kryente procedurat për t’u imbarkuar në njërin prej trageteve të linjës. Pandeli Mara, 37 vjeç, lindur dhe banues në Fier, u arrestua nga policia për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike, ndërsa pritet që hetimet e mëtejshme të zbardhin identitetin e të tjerë personave të përfshirë në këtë trafik të bimës së ndaluar drejt Italisë. V. Q.
“Fshehu krimin”
Policia ndjek penalisht bashkëshorten e viktimës
Policia e Tiranës ka ngritur një tjetër version për vrasjen e babait nga i biri, duke dërguar për ndjekje penale në gjendje të lirë edhe bashkëshorten e viktimës. Valbona Leka dyshohet nga policia për fshehje të krimit, pasi sipas grupit hetimor, ajo ka telefonuar në Komisariatin nr. 5, duke thënë që bashkëshorti i saj ka vrarë veten me armë zjarri, e llojit çifte. Deponimi i saj i rremë ka qenë vetëm për të mbrojtur të birin nga burgu. Pas daljes së ekspertizës paraprake, grupi hetimor ka konkluduar se 58-vjeçari nuk ishte vetëvrarë, por ishte ekzekutuar nga i biri. Pas kësaj, policia ka marrë sërish në pyetje bashkëshorten e të ndjerit. Nga hetimet dyshohet se mes palëve ka pasur përleshje dhe Rasim Leka ka marrë armën për të vrarë të birin, por në këtë moment Valbona ka ndërhyrë, duke i dalë përpara. Gjatë zënkës, Ervini i ka marrë armën nga dora dhe në gjaknxehtësi e sipër ka qëlluar për vdekje mbi të atin, i cili ka qenë në gjendje të dehur. Në një situatë paniku, familjarët e të ndjerit kanë marrë në telefon infermieren e zonës, duke i thënë që dikush ishte plagosur me armë zjarri dhe se kishte nevojë për ndihmë mjekësore. Kjo e fundit nuk ka mundur që të shkojë në kohë prej distancës së largët. “Atë natë dikush më mori në telefon dhe më tha që duhet të shkoja në zonën e quajtur Valias i Ri, për të ndihmuar dikë që ishte plagosur. Nuk kam pasur mundësi që të shkoj sepse kam qenë diku tjetër, për të dërguar disa evidenca, në lidhje me punën time. Rasimi nuk ka vdekur në vend, sepse ata më kërkuan ndihmë. Nuk e di se çfarë ndodhi më pas”, ka deklaruar infermierja e zonës.
Tiranë
Ndërsa një adoleshent ndërron jetë te pishinat pranë Liqenit Artificial në Tiranë
Një fëmijë dhe një i moshuar vdesin nga aksidentet rrugore
Adoleshenti Besnik Beka është hedhur nga trampolina dhe dyshohet se vdiq nga ataku kardiak
Një fëmijë, një adoleshent dhe një i moshuar kanë humbur jetën dje nga aksidente të ndryshme në Tiranë dhe në Shkodër. Dy nga ngjarjet e rënda kanë ardhur për shkak të aksidenteve rrugore, ndërkohë që i treti ka ndodhur te pishinat, kur një adoleshent është hedhur nga trampolina e më pas ka ndërruar jetë për shkak të një ataku kardiak. Policia tha se ngjarja e parë bën fjalë për një aksident që ka ndodhur dy net më parë në Baldushk të Tiranë, kur një i mitur u përplas nga një makinë, por ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe dje paradite ka ndërruar jetë në spital. 9-vjeçari Klajdi I. u përplas dy net më parë nga një mjet në Baldushk teksa tentonte të kalonte rrugën. Menjëherë pas ngjarjes efektivët e Komisariatit Nr. 1 në kryeqytet arrestuan drejtuesin e mjetit, i cili rezulton se është 39-vjeçari Ymer Lleshi, ndërkohë që i mituri u dërgua në spital për ndihmë mjekësore, por ndërroi jetë për shkak të plagëve të shumta. Po ashtu, një aksident tjetër ndodhi dje në Shkodër, me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri. Ngjarja është regjistruar në orët e para të mëngjesit në aksin rrugor Shkodër-Velipojë, si pasojë e përplasjes së dy motoçikletave. Sipas burimeve të policisë së Shkodrës, viktima është Kolec Molla, 69 vjeç dhe i plagosur ka mbetur Eduard Gjeka. Policia bën me dije gjithashtu se të dy personat e përfshirë në aksident ishin nga fshati Rrjoll i Komunës Velipojë. Ndërkaq, blutë e Shkodrës kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e këtij aksidenti. Ngjarja e tretë e rëndë është regjistruar te kompleksi i pishinave pranë Liqenit Artificial në Tiranë. Sipas policisë, Besnik Beka ka humbur jetën kur është hedhur nga trampolina për në pishinë. Burimet policore shtuan se adoleshenti nga Sauku dyshohet se ka pësuar atak në zemër në momentin e hedhjes nga trampolina dhe prekjes së ujit të freskët të pishinës. Trupi i tij është nxjerrë nga pishina nga pushues të tjerë, të cilët e kanë dërguar djalin në Spitalin Ushtarak, por nuk ka arritur të mbijetojë. Sipas policisë, janë shoqëruar dhe po merren në pyetje drejtuesit e pishinës së bashku me dëshmitarët që kanë parë adoleshentin në momentin e hedhjes nga trampolina e katërt. Ndërkohë, ekspertët e Mjekësisë Ligjore kanë kryer ekzaminimin e trupit të 17-vjeçarit Beka dhe në ditët në vazhdim pritet të dalë zyrtarisht edhe shkaku i vdekjes.