SHBA: Burg përjetë zëdhënësit të Bin Ladenit
Një gjykatë në Nju Jork ka dënuar dje me burgim të përjetshëm dhëndrin e Osama bin Ladenit, Sulaiman Abu Ghatith, për akuza të ndërlidhura me terrorizëm. Para se të dënohej nga gjykata, ai tha nëpërmjet përkthyesit, se “nuk do të vinte sot këtu për të kërkuar mëshirë nga askush tjetër, por vetëm nga Zoti”. Ky imam nga Kuvajti, ishte bërë zë i videoshiritave për rekrutim të Al-Kaedës, pas sulmeve të 11 shtatorit. Sulaiman Abu Ghaith tha gjatë procesit kundër tij, se roli i tij ishte në mënyrë strikte religjioz.
Abaz: Rezolutë për fundin e pushtimit izraelit
Presidenti i Autoritetit palestinez, Mahmud Abaz, thotë se do të kërkojë një rezolutë ndërkombëtare, me të cilën do të përcaktohej afati për përfundimin e okupimit izraelit të territoreve palestineze, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, këtë javë. Nëse Kombet e Bashkuara e refuzojnë kërkesën e tij, atëherë Abaz thotë se do të kërkojë anëtarësim në institucionet dhe agjencitë ndërkombëtare. Ndihmësit e tij kanë thënë se në këto institucione, do të përfshihej edhe Gjykata Penale Ndërkombëtare.
Turqi: Hiqet ndalesa ndaj shamive në shkolla
Qeveria e Turqisë thotë se do ta heqë ndalesën me të cilën vajzave nuk u lejohej mbajtja e shamive në shkollat e mesme. Zëvendëskryeministri, Bulent Arinc, tha dy net më parë, se nxënëset do të lejohen të mbajnë shami, duke filluar “nga klasa e pestë”. Por, Kamuran Karaca, shef i sindikatës së arsimit Egitim-Sen, tha se me këtë “shoqëria turke po shkon prapa në Mesjetë”. Në vitin 2008, në Turqi është tërhequr ndalesa për bartjen e shamive në universitete, ndërsa vitin e kaluar u ka lejuar femrave myslimane që t’i bartin ato në institucionet publike.