Shkencëtarët
Rrezik i lartë që Ebola të mbërrijë në Francë e Britani
Shkencëtarët kanë analizuar format e shpërndarjes së Ebolës dhe të dhënat e trafikut ajror për të parashikuar se ka 75 për qind shanse që virusi të importohet në Francë deri më 24 tetor dhe 50 për qind mundësi që të mbërrijë në Britani në atë datë. Epidemia vdekjeprurëse ka vrarë më shumë se 3400 persona që kur u përhap në mars. Rreth 7200 njerëz në të gjithë globin janë prekur prej Ebolës.
Pakënaqësia
Në Spanjë mbahen protesta kundër monarkisë
Një grup prej 200 demonstruesish janë mbledhur në Madrid për të protestuar kundër monarkisë. Oficerët e policisë janë filmuar duke përdorur shkopinj ndaj protestuesve. Tensionet u rritën kur grupi u përpoq të hynte në një rrugë të bllokuar. Disa janë plagosur dhe të tjerë janë shoqëruar për në polici. Në një sondazh 62% e njerëzve kërkojnë referendum për të ndryshuar formën e qeverisjes.
Zbulohet pas protestave varri masiv në Meksikë, dyshime zyrtarëve
Një varr masiv është zbuluar në periferi të qytetit meksikan të Iguala-s, ku 43 studentë u zhdukën më 27 shtator, thonë zyrtarët. Nuk dihet ende nëse trupat e gjetur janë ato të studentëve të zhdukur, të cilët u panë për herë të fundit kur u detyruan të hipnin në furgonë policie. Grupi kishte udhëtuar në zonë, në shtetin Guerrero, për të marrë pjesë në një protestë për të drejtat e mësuesve. Policia hapi zjarr kundër autobusëve të tyre, duke vrarë gjashtë syresh. 22 oficerë policie janë burgosur për lidhje me të shtënat. Dëshmitarët thonë se shumica e të mbijetuarve, të gjithë praktikantë për mësues – u futën në furgonë policie përpara se të zhdukeshin. Disa u fshehën dhe kontaktuan familjarët disa ditë më vonë, ende të frikësuar për jetën e tyre. U mendua fillimisht se 44 studentë, jo 43, ishin zhdukur. Ata kishin marrë pjesë në një protestë për diskriminimin në punë të mësuesve ruralë. Iguala shtrihet 200 km në jug të kryeqytetit Meksiko. Varri u zbulua të shtunën, pas një informacioni anonim, raportoi media vendase. Nuk ka ende informacion sesa trupa gjenden në varrin masiv të zbuluar së fundmi. Sipas prokurorit të shtetit Guerrero, Inaky Blanco, ekspertët mjekoligjorë po përpiqen të identifikojnë viktimat. Disa prej familjarëve të studentëve të humbur janë bashkuar me kërkimet, duke trokitur derë më derë dhe duke iu treguar banorëve të zonës fotografi të atyre që humbën. Prokurorët thanë se policët lokalë mund të kenë lidhje me grupet kriminale që operojnë në shtetin Guerrero. Mandat-arreste janë siguruar për bashkiakun e Igualas, Jose Luis Albarca dhe shefin e tij të sigurisë, të cilët konsiderohen si të dyshuarit e përfshirë në masakër.
Sulmet
Shteti Islamik lëshon raketa ndaj qytetit në kufi të Sirisë
Militantët e Shtetit Islamik kanë qëlluar me raketa ndaj qytetit verior sirian të Kobanes, teksa forcat kurde janë përpjekur të kufizojnë përparimin. Sipas Observatorit Britanik të të Drejtave të Njeriut, të paktën 10 raketa janë qëlluar në qytetin e Kobanes, po ashtu edhe predha tanku e bomba. Militantët po përpiqen të largojnë forcat kurde, të cilat mbrojnë qytetin. Kundërsulmet ajrore nga SHBA-ja dhe koalicioni kanë vrarë 16 militantë. Sulmet në Kobane kanë nisur në mes të shtatorit dhe kanë shkaktuar të paktën 11 viktima në radhën e forcave mbrojtëse kurde. IS vazhdon të mbetet një problem global.
Zgjedhjet
Brazili voton për presidentin e ardhshëm
Më shumë se 142 milionë brazilianë votuan për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të vendit. Pritet që zgjedhjet të fitohen nga presidentja në detyrë, Dilma Rousseff. Vdekja e një prej kandidatëve kryesorë dhe popullariteti i zëvendësimit të tij, aktivistes së mjedisit Marina Silva, nënkupton se votimi ka të ngjarë të shkojë në një raund të dytë. Rivali kryesor i presidentes, Aecio Neves, është një figurë pro-biznesit. Gjatë mandatit të presidentes Rousseff papunësia u ul më shumë se çdo herë tjetër, me 5 për qind. Rrogat minimale u ngritën dhe varfëria ra. Sistemi i votimit në Brazil është elektronik, që e bën numërimin e votave shumë të thjeshtë.
Sfida
Aktivisti i paqes tenton të shkojë në Bermuda brenda një flluske
Përpjekja e një emigranti iranian për të kaluar nga Florida në Bermuda brenda një flluske transparente ka dështuar. Udhëtimi prej 1600 kilometrash nuk u përfundua. Reza Baluchi, një atlet i dhënë pas sfidave të rezistencës u shpëtua nga Rojet Bregdetare Amerikane, pasi ishte në gjendje të dobët shëndetësore. Ai ishte përpjekur ta kryente sfidën një javë më parë, por Rojet Bregdetare e kishin ndaluar, pasi ai kishte humbur drejtimin dhe ishte në gjendje të keqe. Në një postim në faqen e tij të internetit, aktivisti i paqes tha se u përpoq të udhëtonte për në Bermuda me “Hidro Pod-in” e tij për të mbledhur para për fëmijët dhe për të frymëzuar ata që kanë humbur shpresën. Atleti tha se kishte planifikuar çdo detaj që të mund t’i mbijetonte sfidës. Rojet kishin marrë raportimin për flluskën që po lundronte dhe i kërkuan Baluchi-t të hiqte dorë nga udhëtimi, por ai refuzoi.