Merkel: Bisedimeve me Iranin duhet t’iu jepet shans


merkelKancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se negociatave me Iranin, në lidhje me programin e tij bërthamor, duhet t’iu jepet shans, porse sanksionet do të rikthehen nëse është e nevojshme. Merkel ka thënë se Irani duhet të veprojë në përputhje me marrëveshjen e përkohshme të nëntorit, sipas së cilës, Teherani duhet të ndalojë disa aktivitete bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare. Merkel i ka bërë këto komente në një ngjarje të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Uashington.


 


Frikë për 2,500 të vdekur në Afganistan


Zyrtarët afganë thonë se deri në 2,500 njerëz supozohet të kenë vdekur nga rrëshqitja e dheut në provincën Badakshan. Guvernatori Shah Valiullah Adeen ka thënë se viktimat janë të varrosura nën së paku 10 metra baltë. “Nuk besoj se mund të ketë të mbijetuar”, ka thënë ai. Kombet e Bashkuara kanë thënë se fokusi tani është në më shumë se 4,000 njerëz të zhvendosur pas katastrofës së 2 majit. Departamenti Kombëtar për Katastrofa i Afganistanit ka thënë se ka rrezik për rrëshqitje të tjera të dheut në zonë. Rrëshqitja e dheut ka ardhur si pasojë e shirave të dendur që kanë goditur pjesën veriore të Afganistanit në javët e fundit.


 


Ukrainë: 31 të vdekur nga zjarri në Odesa


Policia ukrainase në qytetin port të Odesës thotë se të paktën 31 vetë kanë vdekur nga zjarri në një ndërtesë. Zjarri shpërtheu si rezultat i luftimeve mes separatistëve pro-rusë dhe përkrahësve të qeverisë qendrore në Kiev. Një deklaratë e qeverisë tha se zjarri shpërtheu në një ndërtesë sindikaliste dhe se 31 trupa u gjetën në skenën e ngjarjes. Agjencia ruse e lajmeve “RIA Novosti” tha se rreth 50 të tjerë u plagosën, përfshirë 10 policë. Odesa, porti kryesor në Detin e Zi, i kishte shpëtuar dhunës pro-ruse që ka mbërthyer pjesë të mëdha të Ukrainës lindore. Më parë, dje, forca qeveritare ukrainase ndërmorën sulmin e parë madhor ndaj qytetit të Slovianskit, që ka rënë në duart e separatistëve. Media perëndimore tha se forcat ukrainase kanë marrë pika kontrolli në periferi të qytetit, por nuk kanë arritur të përparojnë drejt qendrës së qytetit, të fortifikuar mirë. Separatistët qëlluan dy helikopterë ukrainas gjatë luftimeve, duke vrarë dy anëtarë të ekuipazhit. Sipas njoftimeve një tjetër pilot u kap nga separatistët.


 


Samsung urdhërohet t’i paguajë Apple 119.6 mln dollarë


Gjiganti koreanojugor i teknologjisë Samsung është urdhëruar t’i paguajë kompanisë amerikane, Apple, 119.6 milionë dollarë për shkak të shkeljes së dy patentave të saj në “telefonat e mençur”. Vendimi është marrë nga një gjykatë federale në San Jose të Kalifornisë. Ai shënon betejën e fundit ligjore mbi pronën intelektuale midis dy prodhuesve më të mëdhenj të smartfonëve në botë.