Konfindustria, apel qeverisë: Ndërhyni për huamarrjet informale


Mungesa e kreditimit nga sistemi bankar ka detyruar biznesin shqiptar dhe qytetarët të gjejë zgjidhje te huamarrja informale. Në lidhje me këtë, Konfindustria i bën apel qeverisë shqiptare të ndërhyjë për marrjen e masave të nevojshme për të luftuar dukurinë e oligopolit në tregun bankar dhe financiar të vendit, si shkaku kryesor i gjendjes së krijuar. Sipas Konfindustrisë, e gjithë situata vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e politikave shtrënguese kredidhënëse në vazhdimësi të bankave të nivelit të dytë në vend. Sipas saj, zgjerimi i dukurisë së huamarrjes informale nga bizneset dhe qytetarët përbën një rrezik serioz për ekonominë kombëtare.


 


Elbasan, radhë të gjata për të marrë kempin


Qytetarët e Elbasanit po përballen me radhë të gjata pritjeje për t’u ekzaminuar nga komisioni mjekësor për të marrë statusin e invalidit. Drejtori i Sigurimeve Shoqërore, Shkëlqim Duka, tha se komisionet kanë filluar punën, por ka akoma vend për përmirësimin e situatës dhe të performancës. “Është pikërisht numri i konsiderueshëm i personave që komisionohen, të cilët krijojnë një imazh sikur në Sigurimet Shoqërore ka një rrëmujë të madhe. Ne e kemi ofruar këtë shërbim nëpërmjet komisionit të krijuar prej nesh, pikërisht për të mos penguar përfitimin që kjo kategori njerëzish të marrë, për shkak se u takon, si dhe për shkak të paaftësisë. Por ne i jemi drejtuar Shërbimit Social që të marrë masa në mënyrë që të komisionohen të gjithë ata invalidë në një ambient të përshtatshëm dhe një komision specialistësh jo i varur nga ne, por nga ana e Shërbimit Social, por ajo që është thelbësore, këtyre njerëzve t’i ofrohet një komoditet për t’u trajtuar në mënyrë njerëzore dhe jo për t’u torturuar, siç ndodh këtu”, tha Duka.


 


Gjobiten 12 njësi vendore në Shkodër: S’pastruan mjedisin


Fushe me mbeturinaDymbëdhjetë njësi vendore në Qarkun e Shkodrës, mes të cilave edhe vetë bashkia e qytetit, ajo e Koplikut dhe e Vaut të Dejës, janë gjobitur nga Ministria e Mjedisit për prezencë të mbetjeve urbane në territorin që ato administrojnë. “Ka mbetje të grumbulluara në vendet e papërcaktuara me ligj, si dhe administrimi dhe menaxhimi i këtyre mbetjeve, nuk janë në përputhje me ligjin dhe janë gjobitur. Pra, kanë marrë dënim administrativ me gjobë 500 mijë lekë të reja, kryetarët e njësive vendore, bashkive dhe komunave në Qarkun e Shkodrës, ku janë rreth 12 për momentin”, tha kryeinspektori Edmond Tërthorja. Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, përmes një shkrese zyrtare që u dërgoi kryetarëve të njësive vendore më datë 20 mars 2014, kërkoi marrjen e masave për menaxhimin e mbetjeve, ku në rast se kjo kundërvajtje do të përsëritet, do të kërkohet edhe shkarkimi i kryetarit të komunës apo bashkisë.