ujeSkandali 


Nikël, banorët prej 25 vitesh pa ujë të pijshëm


Banorët e fshatit Nikël në Krujë ngrenë shqetësimin e mungesës së ujit të pijshëm, që në kohën e pluralizmit. Banorët thonë se janë të detyruar të konsumojnë për të pirë ujë të pakontrolluar nga puset. Prej të paktën 25 vitesh, 9 fshatra të njësisë administrative Nikël në Krujë nuk furnizohen me ujë të pijshëm.


Banorët thonë se janë të detyruar që të konsumojnë për të pirë ujin e puseve të hapura nga vetë ata, i cili është i pakontrolluar dhe jo pak herë fëmijët kanë shfaqur probleme gastro-intenstinale, pikërisht për këtë arsye. “Ka 25 vjet që nuk ka ujë të pijshëm këtu, dikur ka pasur ujësjellës, por nuk ka më. E mbushim nëpër puse, uji i pakontrolluar. Mund të na bëjë edhe dëm, lloj-lloj ujërash pimë, se nuk ka ujë të pijshëm. Qëkur ka ndryshuar sistemi këtu është prishur ujësjellësi që vinte nga malësia e Krujës, fshatrat Mukje. Tani nëpër puse”, shprehet një banor. Njësia administrative e Niklës ka një popullsi prej afro 11 mijë banorësh.


 


Ferras


Banorët në protestë: S’kemi marrë dëmshpërblimet e përmbytjeve


Banorët e Ferrasit në njësinë administrative Levan kanë zhvilluar protestën e radhës për mungesën e dëmshpërblimit nga përmbytjet e para një viti. Banorët thonë se janë 400 familje që nuk kanë marrë dëmshpërblim nga dëmi që iu shkaktua prej vërshimit të lumit Vjosa, ndërsa akuzojnë autoritetet vendore për ndarje selektive të ndihmave. Dhjetëra familjarë të fshatit Ferras, njësia administrative Levan, kanë protestuar në hyrje të kthesës së Qarrit në aksin e vjetër rrugor Levan-Vlorë. Banorët kanë përshkallëzuar protestën, pasi thonë se ende nuk janë dëmshpërblyer për përmbytjet e vitit 2015. “Jo 7 milionë tjetri, 10 milionë tjetri. Të gjithëve t’u japin nga 100 mijë lekë të hajë populli, jo ashtu si duan këta. Po na bëhet padrejtësi e madhe, jemi shumë të indinjuar. U lutemi instancave kompetente të marrin masa. Komisioni që ka ndarë ndihmat për përmbytjet të thërritet dhe të vihet para përgjegjësisë për të dhënë përgjigje se kujt ua ka dhënë dhe kujt nuk ua ka dhënë ndihmat apo dëmshpërblimet”, tha një protestues. Protesta e banorëve të Ferrasit është e disata në harkun e pak ditëve. Madje, familjet e prekura nga përmbytjet, një javë më parë patën dhe takim me prefektin, prej të cilit nuk u është ofruar asnjë zgjidhje.