Një seri sulmesh ajrore të Federatës Ruse tronditën kryeqytetin ukrainas, Kiev, të premten në mëngjes, duke shkaktuar dëme të mëdha në disa zona të qytetit. Si pasojë e këtyre sulmeve, disa ambasada, përfshirë Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme. Fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës shqiptare, si dhe të pesë ambasadave të tjera, janë dëmtuar, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik.

Pavarësisht dëmeve materiale, nuk raportohet për viktima. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë ka dënuar ashpër sulmet, duke i cilësuar ato si një akt të papranueshëm, që synon të minojë themelet e diplomacisë ndërkombëtare. Ministria ka theksuar se mbrojtja e personelit diplomatik dhe e misioneve është një parim që duhet të respektohet dhe zbatohet pa asnjë përjashtim.