Një investigim i publikuar nga tabloidi britanik The Sun pretendon se një rrjet kriminal me lidhje shqiptaro-britanike po përdor jahte luksoze për të transportuar emigrantë drejt Mbretërisë së Bashkuar, duke shmangur kontrollet kufitare në portet kryesore.
Sipas investigimit, gazetarët e The Sun u shtirën si një shtetas shqiptar i deportuar më herët nga Britania, duke vendosur fillimisht kontakte përmes TikTok dhe më pas duke vijuar komunikimin në WhatsApp.
Në bisedat e publikuara, personat e dyshuar ofruan një vend në një jaht që do të nisej nga Holanda drejt zonës pranë Doverit, kundrejt pagesës prej 15.500 paundësh. Ata pretenduan se udhëtimi do të realizohej me një jaht me tre kabina luksoze, me deri në dhjetë pasagjerë dhe ekuipazh shqiptar.
Sipas artikullit, pagesa duhej të kryhej në Shqipëri përpara nisjes, ndërsa pas mbërritjes pranë Doverit, emigrantët do të transportoheshin me automjete drejt Londrës. Investigimi pretendon gjithashtu se grupi kishte organizuar edhe më parë udhëtime të ngjashme, duke marrë me qira një jaht me vlerë rreth 50 mijë euro.
The Sun e lidh këtë rast me fenomenin e rikthimit në Britani të personave të deportuar më parë. Duke iu referuar të dhënave zyrtare, gazeta shkruan se gjatë pesë viteve të fundit 4.614 persona janë rikthyer në Mbretërinë e Bashkuar pas dëbimit, ndërsa më shumë se një e treta e tyre ishin shtetas shqiptarë.
Artikulli përmend edhe raste të mëparshme të goditura nga autoritetet britanike. Në muajin maj u arrestuan pesë persona pasi një jaht me shtatë emigrantë u ndalua në brigjet jugore të Anglisë, ndërsa në mars dy shtetas ukrainas u dënuan me burg për organizimin e transportit të pesë shqiptarëve dhe një shtetaseje vietnameze me jaht, kundrejt 13 mijë paundëve për person.
Pas publikimit të investigimit, The Sun bëri të ditur se ia referoi rastin platformës TikTok, e cila mbylli llogarinë e raportuar brenda një ore për shkelje të politikave kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Sipas gazetës, materiali do t’i dorëzohet edhe Agjencisë Kombëtare Britanike të Krimit (NCA).
Deri më tani, autoritetet britanike nuk kanë reaguar zyrtarisht lidhur me pretendimet e ngritura në këtë investigim.


