Ditën e sotme, Kolegji Zgjedhor pritet të shqyrtojë kërkesën e Adriatik Lapajt lidhur me mandatin që koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” fitoi në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Nga veprimet e fundit duket se Lapaj ka hequr dorë nga të qenit deputet, pasi ai ka ndryshuar padinë e paraqitur. Në kërkesën e tij, kryetari i “Shqipëria Bëhet” i kërkon Kolegjit që të lërë në fuqi vendimin e kryetarit të KQZ-së, Ilirjan Celibashi, sipas të cilit mandati i takon Kleana Xhuvelit – e katërta në listën e mbyllur për qarkun e Tiranës dhe njëkohësisht vajza e tezes së Lapajt.

Më herët, më 30 korrik, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) rrëzoi kërkesën e subjektit politik “Shqipëria Bëhet” për të njohur dorëheqjet nga lista e mbyllur të kandidatëve. Sipas KAS, këto dorëheqje janë të pavlefshme ligjërisht, ndaj mandati në qarkun e Tiranës duhet t’i kalojë Ana Dajkos.

Ky mandat i vetëm ka shkaktuar edhe përplasje të forta brenda koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”. Fillimisht, ishte arritur marrëveshja që mandati t’i jepej kandidatit që merrte më shumë vota nga lista e hapur, ndërsa ata në listën e mbyllur do të dorëhiqeshin. Por tensionet nisën kur kandidati i “Nismës Thurje”, Zeqir Kordhoni, deklaroi se nuk do të hiqte dorë nga mandati.

Pas akuzave të ndërsjella mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, një tërheqje e bujshme erdhi nga daja i këtij të fundit, gjë që i hapi rrugë vendimit të KQZ-së për t’ia dhënë mandatin Kleana Xhuvelit. Pak ditë para shpërndarjes së mandateve, Xhuveli zyrtarisht tërhoqi dorëheqjen e saj të mëparshme, duke i dërguar një letër KQZ-së ku theksonte se vendimi vinte pas një rishikimi të plotë të situatës dhe konsultimeve me mbështetës, familjarë dhe strukturat politike.