Çadrat e ngritura nga aktivistët e lëvizjes “Shqipëria Bëhet” para godinës së Kryeministrisë u larguan me forcë nga efektivët e policisë së shtetit, të cilët u përplasën edhe me protestuesit që ndodheshin në bulevard.

Pas heqjes së çadrës dhe shoqërimit të disa prej protestuesve, policia u vendos para Kryeministrisë, ndërsa në rrugë mbetën sendet e aktivistëve, të cilët kanë qëndruar për 28 ditë para godinës së kreut të qeverisë.

Përplasja me policinë u shoqërua edhe me lëndime fizike për disa prej protestuesve, mes tyre edhe kreun e “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj. Megjithatë, Lapaj bëri thirrje për mbështetësit që të sillnin sërish sende si karrige dhe çadra për të vijuar rezistencën, ndërsa njoftoi edhe një tjetër protestë pas dy javësh më herët.