Kreu i Nismës Thurje, Endrit Shabani, ka folur sot lidhur me përplasjet paszgjedhore në koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” që shpërthyen rreth mandatit të vetëm që ky koalicion fitoi në Qarkun e Tiranës.

I ftuar në News24, Shabani deklaroi se Lapaj kishte premtuar dorëheqjen nëse koalicioni do siguronte vetëm një mandat, por më pas ndryshoi qëndrim disa herë, duke u justifikuar me vendimet e kryesisë.

Ai u shpreh gjithashtu se gjatë fushatës kishte tension mes palëve, pasi anëtarët e Nismës Thurje ishin ndjerë të përjashtuar nga vendimmarrja.

“Lapaj vendoste kush flet, si flet, për gjithçka. S’pyeste për askënd”, deklaroi ai.

Sipas Shabani ka pasur edhe shantazhe, të cilat shtoi se kanë ardhur nga njerëz të afërt me Lapajn, përfshirë një kushëri të tij, Aranit Rexhepaj.

“Na kanë marrë në telefon dhe kanë thënë: ‘Tërhiqu me të mirë se ka edhe me pahir. Kam investuar për lëvizjen, jemi shumë dhe nuk e lëmë me kaq’”, tha Shabani, duke shtuar se janë kërcënuar edhe fëmijët e një prej kandidatëve të listës, Zeqir Kordhoni.