Gjatë fjalës së Taulant Ballës në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi pati një përplasje verbale me të.

Balla tha se partia kundërshtare duhet të përballet me drejtësinë dhe të distancohet nga dhuna kundër institucioneve. Sa për Bardhin, tha se ai ka firmosur kallëzimin penal për nënkryetarin e grupit të vet.

Taulant Balla: Me ata që realisht i kanë marrë votat nga populli demokrat. Sa i përket asaj që tha zoti Dule, që u ankua në emër të demokratëve për atë që ka bërë policia e shtetit në protestë. Mirë është të mos përdorni fjalën protestë dhe fjalën dhunë. Çdo shqiptari i vjen në mend 8 janari i 2022, që luftonit me njëri-tjetrin. Krahu i Berishës kishte përdorur barrë, çekiç, trapan. Nga krahu i Lulzim Bashës është përdorur gaz lotsjellës, thuhej në atë njoftim. Është një zhurmues, a ja mbyllni gojën një zhurmuesi? E vërteta dhemb, edhe kur hipën lart, edhe kur zbret, edhe para, edhe pas. Mund të kërkoj 5 minuta pushim sa të qetësohen? Thirrja ime për ju demokratë është të mbështesni punonjësit e ndershëm të policisë. Këta lapanjozët…

Gazment Bardhi: Lapanjos je ti!

Taulant Balla: Duhet të përballen me drejtësinë. Nuk ka as parti politike që i merr në mbrojtje sepse zotrote dhe kushdo tjetër që i ushqen me para për të goditur institucionet, duhet të mbash përgjegjësi. Kjo parti politike duhet të distancohet nga dhuna kundër institucioneve bashkë me një matuf, i cili duhet të mbajë përgjegjësi për këtë lloj inspirimi. Lëri këto dëngla ti se bën si qesharak këtu, ti ke bërë kallëzimin për këta 18 që përmenda unë sikurse ke bërë kallëzimin për Belind Këlliçin, Edmond Spahon për kongresin madhështor të dhjetorit 2021. Unë jam ai që jam dhe e kam për nder, kurse ti duhet të mbash përgjegjësi sepse njerëzit mbajnë përgjegjësi për fytyrën e vet dhe gjithçka firmosin. Kryetar grupi që ka firmosur kallëzim penal për nënkryetarin.