Administrata ka kryer një lum padish në gjykatë për largime të padrejta nga puna. Vetëm në 4 muajt e parë të këtij viti janë regjistruar pothuajse aq padi sa u shqyrtuan gjatë gjithë vitit 2011. Nga të dhënat zyrtare të Gjykatës së Tiranës, mësohet se ka një rritje të madhe të padive të tilla, nga punonjësit e larguar nga puna. Sipas informacioneve, janë regjistruar 413 padi për marrëdhënie pune, të cilat janë në gjykim dhe ende nuk kanë përfunduar. Aktualisht, nga këto padi të kryera gjatë këtij katërmujori kanë përfunduar vetëm 271 prej tyre. Të pranuara plotësisht, çka do të thotë se është pranuar e plotë kërkesa e kërkuesve, janë 101 padi, ndërsa të pranuara pjesërisht janë 113 padi. Duke e krahasuar me një vit më parë, pra me 2011-n, kemi një rritje të numrit të kërkesave për marrëdhënie pune. Sipas shifrave, për të gjithë vitin 2011 kanë përfunduar 567 kërkesa. Punonjësit e administratës, kryesisht asaj lokale, pretendojnë në paditë e tyre se janë larguar në mënyrë të padrejtë nga puna, duke shkelur Kodin e Punës. Në pjesën më të madhe të rasteve, gjykata e ka çmuar të drejtë pretendimin e tyre dhe ka detyruar institucionet shtetërore t’i dëmshpërblejnë me disa paga dhe në raste të veçanta, ka urdhëruar edhe kthimin në vendin e punës.