Kryeministri Edi Rama ka realizuar takimin e përhershëm virtual me qytetarët nëpërmjet rubrikës “Sy m’sy”. Nëpërmjet këtij “live” kryeministri diskuton më afër dhe bëhet pjesë e qytetarëve duke folur për probleme të përhershme ose çështje të caktuara. Një nga çështjet që u hap edhe sot në mëngjes ishte kontrata 6 milionë dollarëshe e PD-së për heqjen e non-gratas së Sali Berishës në Amerikë.
“Thanë janë mbledhur disa patriotë që nuk dihet se kush janë, sepse nuk janë, dhe paskan grumbulluar 6 mln dollarë për të pastruar damkën nga balli i bufit të kënetës, damkën e Shteteve të Bashkuara për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë.
Po pse duheshin këto 6 mln dollarë për këtë damkë, nëse kjo damkë do të ishte damka e një komploti të Sorosit me mua dhe duke shfrytëzur vulën e SHBA-së, pse duhej kjo kontratë për të vënë një padrejtësi kaq të madhe që u tha se do të vihej sapo të vinte në pushtet presidenti Trump?
Pse duhej kjo kontratë 6 milion dollarëshe e cila është ku e ku më e lebetitshme se ajo e Lulit të shkretë që u bë copash për të justifikuar ato 500 mijë dollarët? Edhe ai ashtu tha, disa patriotë. Po ai tha 500 mijë, këto janë 6 milion dollarë.
Pjesë e zjarrit patriotik është edhe sjellja e Latifit në Tiranë për t’i vënë bufit kapelën në kokë, që të duket si Trump, por versioni më qesharak i mundshëm. Latifi ka marrë pjesën e tij në këto 6 milion dollarë, kanë dalë nga barku i kënetës dhe synojnë të realizojnë atë që na u tha se ishte një gjë e realizuar tashmë”, tha Rama.
