Policia vijon operacionet anti-drogë. Ndalohet edhe një bot uji dhe një kamion me pleh


Ka vijuar edhe gjatë ditës së shtunë aksioni i policisë së Gjirokastrës, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike në Lazarat.


Forcat e drejtorisë së policisë në Gjirokastër, të mbështetur edhe nga dy grupe të FNSH-së dhe dy grupe Delta, kanë bllokuar 53 shtetas në kodrat që të çojnë në Lazarat. Sipas policisë ata po përpiqeshin të hynin në fshat dhe dyshohet se do të punonin në parcelat me kanabis të Lazaratit.


Gjatë këtyre ditëve policia ka ndaluar rreth 180 persona dhe ndaj tyre ka nisur procedimi penal. Ndërkohë po sot është bllokuar një bot uji dhe një kamion me pleh. 6 grupet e punës po vijojnë kontrollet në territorin e komunës Lazarat, për të mos lejuar kultivimin e kanabisit. Në Gjirokastër që prej mbrëmjes së djeshme ka mbërritur për të mbështetur forcat e policisë lokale edhe Task-Forca e qarkullimit e drejtuar nga Krenar Ahmeti.


Gjatë orëve të fundit janë hequr xhamat e zinj nga 85 automjete nga Lazarati janë vendosur 600 mijë lekë të reja gjoba për këto shkelje dhe janë bllokuar 3 makina luksoze nga Lazarati që rezultonin të vjedhura. Aksioni pritet të vijojë edhe ditët e ardhshme.


16 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)