Në protestën masive mbrëmjen e sotme mes folësve ishte edhe një emigrant shqiptar nga Vlora, ish-efektiv policie.
Ai dha një mesazh të fortë para Kryeministrisë, duke deklaruar se ishte i gatshëm që të sakrifikohej në mënyrë që të sillte ndryshimin. Ish-efektivi tha se viti 1997 nuk duhet të përsëritet edhe një herë dhe nuk duhet të hiqet dorë nga protesta. Ai hodhi akuza të rënda drejt kreut të PD, Sali Berisha dhe deklaroi se në para 29 vitesh e kërcënuan për organizimin e protestave, duke i plagosur prindërit akt që e detyroi të emigronte.
“Para 31 vitesh kam kryesuar Komitetin e Protestës në Vlorë, u dhunuam nga berishistët. Më pas nisën dëbimet, persekutimet, më plagosën prindërit me granata dhe tritol. U nisëm me djalin e vogël drejt Adriatikut, na dëbuan edhe pse isha punonjës policie. Pasi i rritëm fëmijët andej, me dashurinë për gjuhën shqipe, pas 29 vitesh jemi në të njëjtën situatë, ku ka protestë në të gjithë vendin. Nuk duhet të përsëritet ’97, të mos e lëmë protestën, nëse i duam fëmijët tanë. Le të jem unë heroi i parë, le të më vrasin. Kemi nisur bisedimet me shokët që lumi të vërshojë nga Vlora në Tiranë, do të vijmë në këmbë, ose arrijmë qëllimin ose do të shtrihemi të vdekur. Ai nuk është burrë, s’ka fe, është frikacak, ata që janë mbrapa tij të mos bëhen tradhtarë, mos u vini përballë shqiptarëve, mos u bëni kundërshtarët tanë sepse do të gjeni belanë. Patronazhistët, policët të bashkohen me ne, të hedhin kapelën në shesh si unë në ’97”, deklaroi ish-efektivi.
