Kryeministri Edi Rama është i vendosur se nuk do të japë dorëheqje, edhe pse, siç thotë ai, kënga i këndohet çdo darkë nën dritaren e zyrës. Për Ramën, kontrata është me popullin dhe një largim nga qeverisja do të ishte shpërfillje e pafalshme.
“Ata pretendojnë se janë vetë populli, por që të jemi të qartë, me ligj e me zakon, as ata nuk janë populli e as ne, të gjithë jemi pjesë e tij. Mund të flasim në emër të popullit vetëm nëse ai na e jep këtë mandat. ‘Rama jepe dorëheqjen’… Mua ajo këngë më pëlqen. Kushdo le të këndojë, kur të dojë le të pushojë, misioni ynë do të vazhdojë derisa të mbarojë me vendosjen e flamurit të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e BE”, tha Rama në një adresim publik sot me Drejtuesit Politikë të PS dhe Kryetarët e Komisioneve Parlamentare.
