Do të aprovohen mbi 30 për qind e ndërtimeve, të tjerat pas aprovimit të projektit pjesor
Lorina Mixha
Plani urbanistik ka mbyllur konsultimet me banorët e 11 njësive bashkiake. Kreu i bashkisë, Lulzim Basha, së bashku me stafin e tij të ngushtë, të ngarkuar për sqarimet dhe prezantimet e masterplanit të madh në lagjet e kryeqytet, kanë mbyllur diskutimet me banorët e zonave.
Ndërkohë që brenda pak kohësh ky plan pritet të dërgohet në KRRTRSH, Këshillin e Rregullim Territorit për miratim.
Para dërgimit të masterplanit në KRRTRSH, ndryshimet dhe risitë që do të përfshihen për rehabilitimin e kryeqytetit të parë në planin afatgjatë, pritet të bëhen edhe dy takime të tjera. Më pas masterplani do të diskutohet gjerësisht në këshillin bashkiak.
Gjithçka pritet të mbyllet brenda një muaji e gjysmë. Fill pas kësaj do të nisë edhe shqyrtimi i lejeve të ndërtimit, miratimi i tyre, por duke pasur parasysh rregullat e reja dhe ligjin e ri, që ka hyrë në zbatim këtë vit.
Këshilli i Rregullim Territorit
Instituti i njohur si Këshilli i Rregullim Territorit të qytetit të Tiranës, nga ky vit nuk ekziston. Ky organizëm është “shkrirë” pas një vendimi të Këshillit të Ministrave që ka hyrë në fuqi këtë vit. Për herë të fundit, institucioni i Këshillit të Rregullim Territorit është mbledhur në fund të vitit 2010.
Për këtë vit nuk do të ketë mbledhje të KRT-së, ai nuk ekziston më si institucion, por lejet e ndërtimit do të jepen në masën 30 për qind fill pas miratimit të planit urbanistik të Tiranës. Brenda muajit dhjetor, pritet të nisin procedurat për shqyrtimin dhe depozitimin e kërkesave për leje. Institucioni që do t’i shqyrtojë ato, do të jetë Drejtoria e Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës, ndërkohë që subjekteve që ndërtojnë do t’u jepet një përgjigje pozitive ose negative pas 55 ditësh nga aplikimi i lejes. Nëse Drejtoria e Urbanistikës do të japë “Ok”, atëherë ky miratim do të jetë i plotë, pasi vendimi të jetë miratuar me firmë e vulë edhe nga kreu i bashkisë së kryeqytetit.
Një vendim i fundit i këshillit bashkiak, ka miratuar një kriter të ri për të gjithë ata që do të kërkojnë miratimin e një leje ndërtimi, taksën e ndikimit.
Pushteti vendor
Sipas vendimit të fundit të këshillit bashkiak, taksa e ndikimit në ambient bën një riorganizim të taksës në përqindje, sipas kostos së ndërtimit, që subjektet duhet t’i derdhin bashkisë për sa i takon ndikimit në infrastrukturë.
Në relacionin e projektvendimit për taksën e ndikimit në infrastrukturë jepen sqarimet, për çdo kategori e nënkategori sipas ndarjes territoriale, mbi bazën e parimeve të planifikimit të territorit, duke bërë një ndarje të zonave.
Në zbatim të kësaj dispozite është propozuar një tarifë për shqyrtimin e kërkesës për leje për punime në vlerën 1% të vlerës së investimit, e cila depozitohet për të mundësuar financimin e instrumenteve vendore të planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të territorit në Bashkinë e Tiranës. Kjo vlerë prej 1% është vendosur në analogji me tarifën e aplikuar më parë mbi bazën e përcaktimeve të ligjit “Për Urbanistikën”.