Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, ka shprehur shqetësim për lëndimin e gazetarëve dhe vështirësitë me të cilat janë përballur ekipet e medias gjatë protestës së sotme në Tiranë.
Krasniqi bëri të ditur se, pas interesimit pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, është informuar se gazetarët e lënduar nuk ndodhen më në spital.
Ajo u ka bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë kujdes dhe përmbajtje ndaj ekipeve të medias, ndërsa ka kërkuar nga Policia e Shtetit vëmendje të veçantë për sigurinë e gazetarëve gjatë raportimit.
Sipas saj, gazetarët dhe operatorët kryejnë një shërbim të rëndësishëm në interes të publikut dhe meritojnë respekt e mbrojtje, veçanërisht në situata të tensionuara.
“Me shqetësim kam ndjekur raportimet për lëndimin e gazetareve dhe gazetarëve dhe vështirësitë me të cilat janë përballur ekipet e medias gjatë raportimit nga protesta e sotme në Tiranë. Pas interesimit pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, u informova se kolegët e lënduar nuk ndodhen më në ambiente spitalore. U uroj shërim të shpejtë dhe shpreh solidaritetin tim me të gjithë kolegët që po raportojnë nga terreni.
Në cilësinë e Kryetares së Autoritetit të Mediave Audiovizive, dëshiroj të nënvizoj rëndësinë e krijimit të kushteve të sigurta për gazetaret, gazetarët dhe operatorët, si dhe të garantimit të ushtrimit të lirë të detyrës së tyre, veçanërisht në situata tensioni.
U bëj thirrje të gjithëve të tregojnë kujdes dhe përmbajtje ndaj ekipeve të medias, ndërsa inkurajoj Policinë e Shtetit t’i kushtojë vëmendje të veçantë sigurisë së tyre gjatë raportimit.
Gazetaret dhe gazetarët në terren kryejnë një shërbim të rëndësishëm në interes të publikut. Puna e tyre meriton respekt, mbështetje dhe mbrojtje”.
