Kryeministri Edi Rama, gjatë një komunikimi live në rrjete sociale, iu përgjigj një komentuesi që i kërkoi të fliste për arritjet e qeverisjes së tij 12-vjeçare, duke i thënë: “Lëre bufin dhe na thuaj çfarë ke bërë këto 12 vite”.

Në përgjigje, Rama renditi disa statistika, duke theksuar se Shqipëria ka shënuar rritjen më të madhe të Prodhimit të Brendshëm Bruto në rajon. “Është 109.6% rritja e PBB-së për Shqipërinë, përballë një mesatareje rajonale prej 64.9%. Jemi nisur nga vrima e fundit e kavallit dhe sot jemi në pragun e shtëpisë së madhe të Bashkimit Europian”, deklaroi ai.

Kryeministri premtoi gjithashtu se deri në vitin 2030, të ardhurat për frymë në Shqipëri do të arrijnë 15 mijë euro. “Nga 3300 euro në 2013, sot jemi në 10 300 euro dhe në 2030 do të shkojmë në 15 mijë euro”, tha Rama.

Ai theksoi se këto arritje janë rezultat i punës në ekip, duke përmendur edhe bashkëpunimin me kryekëshilltarin ekonomik të ish-kancelares gjermane Angela Merkel dhe me një profesor të nderuar nga Harvard.