Pas 27 ditësh protestash të pandërprera para Kryeministrisë, organizatorët e lëvizjes qytetare kanë ndërmarrë një hap të ri, duke iu drejtuar me një letër publike ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë të vendeve perëndimore të akredituara në Shqipëri.
Në dokumentin e bërë publik këtë të premte, grupi koordinues i protestës paraqet pesë kërkesat kryesore të qytetarëve protestues. Mes tyre kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, largimi i klasës aktuale politike dhe krijimi i një qeverie tranzitore jopartiake me mandat 12-mujor.
Për herë të parë janë bërë publikë edhe emrat e koordinatorëve dhe organizatorëve të protestës. Ata janë: Entela Koja, Arben Kola, Megan Balaj, Edviol Kulluri, Luçjana Kokaj, Gentjan Progni, Gjon Ndoj, Etleva Merko, Everest Bardhi, Përparim Gjeka, Mevlan Mata, Ilir Xhemalaj dhe Marjen Rama.
Ndërkohë, në ditën e 27-të të tubimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protestuesit ritheksuan kërkesat e tyre përmes thirrjeve publike, duke kërkuar gjithashtu anulimin e zgjedhjeve të ardhshme dhe vijimin e protestës deri në plotësimin e kërkesave.
