islandezi kryeministerPas protestave të popullit dhe presionit të opozitës, Gunnlaugsson-i i kërkoi Presidentit të shpallë zgjedhjet e parakohshme


Kryeministri i Islandës nuk ka mundur dot që t’i rezistojë presionit të ardhur nga protestat masive në vendin e tij dhe pasditen e djeshme dha dorëheqjen. Sigmundur Gunnlaugsson i inatosi së tepërmi bashkëkombësit, pasi në media u publikuan dokumente se ai dhe bashkëshortja kishin fshehur miliona dollarë të ardhura në një kompani “offshore”, duke ua fshehur qytetarëve pasurinë e vërtetë. Ky veprim shikohet nga islandezët si një mashtrim ndaj tyre dhe kjo ka bërë që me qindra të dalin e të protestojnë përpara godinës së Parlamentit. Në mediat ndërkombëtare u publikuan dokumente ku tregohej se ai dhe bashkëshortja zotëronin firmën “Wintris” në Panama. Gunnlaugsson-i i shiti rreth 50% të aksioneve të tij gruas për një vlerë simbolike prej 1 dollarësh në fund të vitit 2009, tetë muaj pasi ai u zgjodh si Kryeministër i vendit, ku fitoi zgjedhjet me partinë e qendrës së djathtë të qendrës progresive. Por si në atë kohë, edhe në vitin 2013, ai nuk tregoi publikisht se kishte një interes në kompaninë “Wintris”. Sipas Kryeministrit islandez, asnjë ligj nuk është shkelur me këtë veprim, kurse ka theksuar se bashkëshortja e tij nuk ka përfituar financiarisht. Gjithsesi, Gunnlaugsson-i u detyrua t’i kërkonte Presidentit të vendit, Olafur Ragnar Grimsson, që të shpallte zgjedhjet e parakohshme dhe të shpërndante Parlamentin. Por kreu i shtetit refuzoi, pasi më parë duhej që të fliste me partitë politike të vendit. “Nuk mendoj se është normale që Kryeministrit si person i vetëm, t’i jepej autoriteti për të shpërndarë Parlamentin pa rënë dakord shumica parlamentare me këtë vendim”, tha Presidenti islandez për mediat, duke ngjallur jo pak habi për këtë qëndrim. Ministri i Bujqësisë dhe Peshkimit, Sigurður Ingi Jóhannsson, tha se ai do të jetë Kryeministri i përkohshëm i vendit. Reagimi i sotëm i Gunnlaugsson-it erdhi pasi opozita propozoi një mocion mosbesimi ndaj tij. Pasi refuzoi të dorëhiqej të hënën, Kryeministri u vu nën një presion të madh edhe nga koalicioni i tij qeverisës. Kjo e detyroi që në llogarinë e tij në “Facebook”, të shpallte se i nënshtrohej vullnetit të protestuesve. “I kam thënë kreut të Partisë së Pavarësisë se, nëse deputetët e saj mendojnë se nuk mund të vazhdojnë të mbështesin qeverinë në përmbushjen e objektivave të përbashkëta, atëherë unë do të shpërndaja Parlamentin dhe do të bëja thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme”, shkroi ai. Islandezët sapo morën vesh skandalin mbushën sheshet e Rekjavikut. Ata goditën me vezë, përplasën gardhet e vendosura për të shmangur konfrontimet dhe hodhën fishekzjarrë. Kryeministri tregoi momente nervozizmi gjatë një interviste me një televizion suedez, ku u pyet në lidhje me këtë skandal. Ai refuzoi të përgjigjej dhe e la intervistën në mes. Një zyrtar tjetër, i cili ka përdorur bashkëshorten e tij për të transferuar paratë, është edhe komisioneri Europian i Energjisë, Miguel Arias Canete. Micaela Solis-Beaumont, trashëgimtare e një familjeje të pasur, ka qenë në krye të firmës “Rinconado Investment Group”, e cila kishte aktivitet të fjetur në Panama. Edhe pse nuk ka prova që çifti Canete të ketë kryer veprime të paligjshme biznesi apo evazion fiskal, për imazhin e Komisionit Europian dhe standardet e larta të moralit që diktohen aty, një zhvillim i tillë nuk është pozitiv. Vetë zyrtari i BE-së justifikohet se firma në Panama ku bën pjesë edhe gruaja e tij nuk është aktive prej vitesh, pra në parim nuk ka pasur konflikt interesi që do ta pengonin në detyrën e vet. Por kompanitë fiktive shërbejnë për të mbajtur të ardhurat dhe shmangur taksat. KE-ja e ka shpallur prioritet të saj luftën kundër fshehjes së taksave dhe evazionit në të ashtuquajturat parajsa fiskale. Një komision i krahut ekzekutiv të bllokut po heton nëse Presidenti i tij, Jean-Claude Juncker, gjatë kohës si Kryeministër i Luksemburgut, përmes modeleve të mënjanimit të taksave e ka shndërruar këtë vend në një parajsë fiskale për shumë kompania të mëdha dhe individë. Juncker me forcë i ka hedhur poshtë akuzat e ngritura para dy vjetësh. Në Luksemburg ka tatime shumë të ulëta për fitimet që rrjedhin nga vende të tjera të botës. Një praktikë e tillë, e aplikuar edhe në vende të tjera si Irlanda apo Holanda, pritet që të ndërpritet, ndërsa BE-ja është duke përgatitur një ligj të ri.