Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se i ka vendosur 4 gjoba një biznesi në Shkodër pasi subjekti nuk ka zbatuar bllokimin e misrit të konstatuar me aflatoksinë dhe e ka lëvizur atë pa dokumentacion.

Sakaq AKU bën me dije se ka nisur procedimet disiplinore për 3 inspektorë të AKU Shkodër për lëshime në detyrë.

Njoftimi i plotë i AKU:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në kuadër të informimit të publikut dhe transparencës, sqaron opinionin publik se, pas konstatimit të prezencës së aflatoksinës në një sasi misri blegtoral në qarkun Shkodër, janë ndërmarrë menjëherë të gjitha masat ligjore për bllokimin e produktit, ndërkohë që kontrollet e fundit të ushtruara në terren në Mars 2026 kanë nxjerrë në dritë shkelje të rënda nga ana e operatorit të biznesit.

Ky subjekt ka vepruar në kundërshtim të hapur me ligjin duke prishur me dashje shenjat e sigurisë (shiritat e bllokimit) dhe duke lëvizur sasinë e pasigurt pa asnjë dokumentacion gjurmueshmërie, veprime për të cilat AKU ka reaguar me vendosmëri të plotë duke vendosur katër masa administrative “Gjobë” dhe duke depozituar kallëzim penal pranë organeve të drejtësisë prishje me dashje të shenjave të sigurisë, vendosje në qarkullim të ushqimeve të rrezikshme dhe mashtrim me produktet ushqimore.

​Gjithashtu, institucioni ka treguar gatishmëri të lartë për të nxjerrë përgjegjësitë edhe brenda strukturave të veta, duke nisur procedimet disiplinore për tre inspektorë të DRAKU Shkodër për lëshime në detyrë, pasi integriteti i procesit të inspektimit është i panegociueshëm.

Ndërsa vlerësojmë rolin e medias në denoncimin e rasteve abuzive, ftojmë të gjithë raportuesit që t’u referohen fakteve zyrtare për të shmangur keqinformimin dhe panikun e pabazë te qytetarët.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit siguron konsumatorët se mbetet në gatishmëri të plotë në misionin e tij për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik në çdo rast dhe përballë çdo subjekti që tenton të shpërfillë ligjin.

Top Channel