Protesta e pestë kundër projektit në Zvërnec është shoqëruar me një mesazh të fortë nga organizatorët dhe pjesëmarrësit, të cilët kanë refuzuar publikisht përfshirjen e partive politike në tubim.
“Protesta është e qytetarëve”, kanë deklaruar protestuesit, duke theksuar se nuk pranojnë praninë apo përfaqësimin e asnjë force politike, qoftë nga e majta apo e djathta.
Ndërsa mijëra qytetarë vijojnë tubimin përpara Kryeministrisë, nuk kanë munguar as thirrjet kundër qeverisë. “Edi Rama ka mbaru”, “Revolucion” dhe “Shqipëri e re” janë disa nga sloganet e dëgjuara gjatë protestës.
Gjatë tubimit u prezantua edhe “Lëvizja e Re Qytetare”, e cila artikuloi pesë kërkesa që i cilëson si të panegociueshme, mes tyre dorëheqjen e qeverisë, ndalimin e projektit në Zvërnec dhe anulimin e ligjeve që lidhen me investimet strategjike dhe Paketën e Maleve.
Protestuesit deklarojnë se do të vijojnë rezistencën e tyre deri në plotësimin e kërkesave të paraqitura.
