Policia e Shtetit ka bërë disa ndryshime në strukturat drejtuese, me emërime dhe transferime në disa drejtori vendore dhe në departamentet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Në kuadër të këtyre lëvizjeve, Drejtuesi i Parë Kastriot Skënderaj është emëruar Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.


Ndërkohë, Drejtuesi Fatmir Hoxha, i cili mbante detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, është emëruar Specialist në Drejtorinë për Integrimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Ndryshime ka edhe në strukturat drejtuese të Policisë së Beratit dhe Korçës. Drejtuesi Luigj Vathi, nga detyra e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, është emëruar Drejtor i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë.

Në të njëjtën kohë, Drejtuesi Gëzim Zhupaj, i cili drejtonte Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, është transferuar dhe emëruar Shef Sektori në Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Lëvizjet kanë prekur edhe strukturat e Policisë së Tiranës. Kryekomisari Dashnor Muhaj, i cili mbante postin e Zëvendësdrejtorit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Muhaj është emëruar Specialist për Migracionin e Parregullt në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin.