Një 57-vjeçar është arrestuar nga autoritetet në qytetin e Fierit pas një operacioni të kryer ku u zbulua me armë me bete.

Sipas njoftimit të policisë u zbulua se 57-vjeçari ka qenë më parë i arrestuar për vrasje.

Operacioni, i koduar “Pathway”, u zhvillua pas informacioneve operative për aktivitetin e tij të dyshimtë, duke çuar në ndalimin e tij në një lokal në fshatin Fermë Çlirim dhe sekuestrimin e armës së zjarrit tip pistoletë me 2 krëhëra që e kishte me vete.

Njoftimi i Policise:

Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Kundër Personit dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar edhe në informacionet e siguruara për një shtetas që lëvizte i armatosur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pathway”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë, në një lokal në fshatin Fermë Çlirim, shtetasin P. M., me 1 armë zjarri pistoletë, me 2 krëhëra me nga 7 fishekë, që i mbante në çantën e dorës.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin P. M., 57 vjeç, banues në fshatin Sulaj, Fier, i dënuar më parë për vrasje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.