Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me deklaratat e ish-oficerit të UÇK, Dritan Goxhaj, i cili një ditë më parë mori pjesë në një protestë ku parashtroi disa kërkesa ndaj qeverisë.
Goxhaj në tubim prezantoi një platformë me pesë pika, që përfshinte dorëheqjen e kryeministrit, krijimin e një qeverie teknike 12-mujore, ndryshime kushtetuese dhe zgjedhore, si dhe shfuqizimin e disa ligjeve që sipas tij cenojnë interesin publik.
Në reagimin e tij, Rama publikoi edhe një dokument të vitit 1999 të lidhur me Goxhajn, duke e shoqëruar me një mesazh kritik ndaj deklaratave të tij dhe duke i cilësuar ato si të papranueshme. Kryeministri përdori një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe ironike në postim, duke e quajtur atë një “manipulator” dhe duke shtuar se, pavarësisht debateve politike, nuk do të hedhë “asnjë pikë balte” mbi flamurin e UÇK-së.
Reagimi i Ramës ka ngjallur diskutime në rrjetet sociale, ndërsa deklaratat e të dy palëve kanë shtuar tensionin politik rreth protestave dhe kërkesave të artikuluara në tubim.
“‘Po mos bre mos ja kajni nanën krejt, çfarë komandant i leshit more’… Këto ishin fjalët e një burri me disa të vrarë në familje, që më çoi dokumentin bashkëngjitur sot në sabah!
Ndërsa këto janë fjalët e mia: Ej, trima, jo për një manipulator gjysmë taleban e gjysmë mitoman, po për krejt botën sikur të ma falin, nuk e hedh një pikë balte unë mbi flamurin e UÇK-së”, shkruan Rama.
