Në Lezhë është zhvilluar një tubim përkujtimor për 25-vjeçaren Xhuana Nikollaj, dy muaj pas vdekjes së saj.

Familjarë, të afërm dhe qytetarë janë mbledhur pranë Obeliskut në qytet, ku kanë ndezur qirinj dhe kanë vendosur lule në kujtim të saj. Ata kanë mbajtur gjithashtu një minutë heshtje.

Familjarët shprehen se vijojnë të jetojnë me dhimbjen e humbjes, por edhe me shqetësimin se ngjarja ende nuk është zbardhur plotësisht.

Ata kërkojnë që rasti të hetohet deri në fund dhe të dalë e vërteta.

Xhuana Nikollaj humbi jetën pas dhunës së ushtruar ndaj saj nga ish-bashkëshorti, Eraldo Fizi, ndërsa më pas u dyshua edhe për konsum të fostoksinës.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe vijon të mbetet nën hetim.