Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot një plan të ri masash ligjore dhe investimesh në kuadër të Reformës për Trajtimin e Integruar të Mbetjeve, gjatë një aktiviteti të posaçëm të mbajtur në Tiranë.
Në fokus të kësaj reforme qëndron ngritja e një operatori kombëtar për menaxhimin e mbetjeve, në funksion të përafrimit me standardet dhe direktivat e Bashkimit Europian.
Kryeministri u shpreh po ashtu se nëse në pastrim ka përmirësim, sa i përket ndarjes së mbetjeve mbetemi në nivel primitiv. Sipas Ramës, shumë shpejt do nisë një aksion kundër varrezave të makinave,
“Bashkia e Lezhës vazhdon të prijë me forcën e shembullit në pastërti, duke vazhduar me Shkodrën, Durrësin, Himarën dhe më tutje, gjërat kanë shkuar më mirë se sa vitin e shkuar. Ka një përmirësim inkurajues. Ne duhet të vazhdojmë me një ritëm ende më të lartë sa i përket reformave dhe masave ligjore në funksion të objektivit prioritar, kombëtar për anëtarësimin në BE në fund të kësaj dekade.
Së shpejti do të kemi një operator kombëtar për mbetjet. Trajtimi i mbetjeve nuk do te jetë më një proces i administruar nga bashkitë, por nga ky operator. Një tjetër sfidë është përafrimi i direktivave me Bashkimin Europian. Por, nëse në pastrim kemi bërë përparime të dukshme, nëse në mbajtjen pastër të vendit dhe të plazheve sidomos gjatë sezonit, dhe në trajtimin e mbetjeve kemi bërë përparime domethënëse, jemi në një situatë tërësisht primitive në ndarjen e mbetjeve, në përgjegjësinë e përdoruesve. Jemi besoj i vetmi vend në Europë, që varrezat e makinave i kemi të ligjëruara pa ligj, dhe ky do të jetë një operacion që sapo ka nisur dhe do të vazhdojë për shkuljen e këtyre varrezave. Një tjetër nevojë e krijuar është rishikimi i strategjive dhe masterplanit për tarifat dhe riciklimin sipas standardeve të Bashkimit Europian”, tha kryeministri Rama.