Ka ndihmuar një të kërkuar nga drejtësia italiane t’i shpëtonte ekstradimit, arrestohet një oficer i policisë gjyqësore të Prokurorisë së Lezhës. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit deklaruan se mesditën e sotme janë zhvilluar njëkohësisht dy operacione policore në Tiranë dhe Lezhë, gjatë të cilave është bërë e mundur arrestimi i Aleksandër Kolmarkut, 53 vjeç, me detyrë oficer i policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Gjergj Nikola Tushaj, i njohur si Gjokë Ndue Tushaj, 48 vjeç, banues në Tiranë.


I njëjti burim ka saktësuar se arrestimi i këtyre shtetasve u bë i mundur në sajë të një hetimi intensiv disa mujor të kryer nga Sektori Kundër Korrupsionit në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me njësinë Task Forcë, në  kuadër të zbatimit të një letër-porosie të autoriteteve policore italiane për shtetasin Gjergj Nikola Tushaj, (alias Gjokë Ndue Tushaj), i akuzuar nga autoritetet italiane për veprat penale: rrëmbim personi, shfrytëzim prostitucioni dhe marrëdhënie seksuale me dhunë.


“Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasi Aleksandër Kolmarku, përmes shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve, ka ndihmuar shtetasin Gjergj Tushaj (alias Gjokë Tushaj) që t’i shmanget përballjes me autoritetet italiane të drejtësisë.


Bazuar në materialet e grumbulluara nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë në kuadër të këtij hetimi, nga Gjykata e Shkallës së parë në Tiranë ndaj këtyre shtetasve është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg’”,-thuhet zyrtarisht nga Policia e Shtetit.


Materialet procedurale në ngarkim të tyre do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë nën akuzën e kryerjes së veprave penale “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh” e kryer në bashkëpunim.


1 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)