Shkollat private 


Universitetet janë vetëm 3, 44 të tjerat japin diploma të larta


Universiteteve private, të cilat nuk plotësojnë kriteret për të qenë një institucion i arsimit të lartë, duhet t’u hiqet licenca. Propozimi për ndërmarrjen e një nisme të tillë vjen nga kreu i Komisionit të Medias dhe Arsimit. Sipas ministrit të Arsimit dhe Shkencës, deri tani janë zhvilluar kontrolle dhe inspektime për cilësinë e mësimdhënies dhe jo për abuzimet. Shkelje dhe parregullsi të evidentuara në Shqipëri kanë ndodhur edhe në vende të zhvilluara dhe me sisteme të konsoliduara arsimore.


Dje, ministri i Shkencës, ka raportuar në Komisionin e Arsimit lidhur me kontrollet e kryera nga autoritetet arsimore për universitetet private, duke bërë deklarata të forta lidhur me cilësimin e institucioneve të arsimit të lartë.


Ministri i Arsimit tha se në vend ka vetëm tri shkolla të larta private, që mbajnë titullin universitet, ndërsa 44 të tjerat janë vetëm institucione të arsimit të lartë. Ky informacion në shumicën e rasteve nuk u është dhënë i tillë prindërve dhe studentëve, që për vite me radhë po ndjekin studimet me pagesë në këto institucione private.


Deklarata


Dje, epiqendra e debatit në Komisionin e Medias ishte e lidhur me skandalin e diplomave në universitetin “Kristal”.


Po ashtu, për herë të parë, kryetarja e Komisionit të Arsimit dhe Medias, Valentina Leskaj, ka bërë një deklaratë sensitive lidhur me dhënien e licencave për universitetet private. Sipas saj, janë konstatuar raste të licencimeve klienteliste edhe për institucione që në fakt nuk i plotësojnë kriteret për të ofruar formim universitar. “Një problem që fillon që me licencime, që për hir të së vërtetës ka pasur licencime klienteliste dhe licencime që nuk kanë plotësuar standardet. Në qoftë se nuk plotësohen kriteret, le të ndalohen licencat. Këtu është bërë kontroll, por nuk janë identifikuar edhe rastet e diplomave false dhe nuk kemi gjetur. Çështja e akreditimit mbetet një problem”, tha kryetarja e Komisionit, Valentina Leskaj.


Sipas saj, vetëm në vitin 2010 janë dhënë 12 licenca për arsimin e lartë dhe shumë universitete shpërndajnë diploma dhe bëjnë reklama si universitet, edhe pse nuk e kanë këtë status.


Raportimi


Pas skandalit të shitjes së diplomave nga universiteti “Kristal”, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka pranuar se sistemi arsimor privat nuk është i imunizuar dhe ka rrugë të gjatë përpara.


“Universiteti ‘Kristal’ është ende në hetim dhe nga kontrolli i ushtruar më parë nga ekspertët e Arsimit mbi të, nuk ka pasur asnjëherë vlerësim maksimal, tha ministri i Arsimit.


Ai vijoi më tej duke sqaruar: “Sistemi nuk është imunizuar. Ajo që ne kemi në dorë është dixhitalizimi i plotë i tij, fuqizimi i strukturave mbikëqyrëse deri në auditorë dhe fuqizimi i Agjencisë së Akreditimit. Ne kemi të dhënat për studentët e huaj, që institucionet e arsimit të lartë e kanë detyrim që për çdo student dhe për çdo mësimdhënës, për çdo pedagog që ftojnë nga jashtë, duhet të informojnë dhe duhet të marrin leje qëndrimi në rastin e studentëve në strukturat përkatëse të Ministrisë së Brendshme”, ka referuar Tafaj. Sipas tij, dyshimet nëse ka implikime të stafit pedagogjik në rastin e “Kristalit”, kjo është një çështje që po hetohet edhe nga strukturat e tjera.


“Stafi pedagogjik, pedagogët janë njerëzit që zhvillojnë leksionet, seminaret, provimet dhe evidentojnë dhe vlerësojnë studentët”, tha ministri Tafaj. Lorina Mixha